“Deri në fund të javës bëji 2 milionë dhe m’i sill”/ Futën në kurth burrin e martuar, shpallet në kërkim çifti. E dehën me raki dhe i thanë…

0

Një çift ka përdorur një grackë tipike siç është miqësia dhe rakia për të futur në kurth një burrë të martuar, i cili mbas shoqërimit me ta nëpër lokale, përfundoi i gjobitur. Për këtë arsye sipas burimeve shumë të sigurta të Gazetasi.al, shtetasit M.M dhe D.M janë shpallur në kërkim policor për shtrëngim me anë të kanosjes, mbasi ata i kërkuan 2 milionë lekë një qytetari nga Tirana i cili u ftua në shtëpinë e tyre dhe kur ai u zhvesh nudo përpara gruas, ajo i shkrepi fotografi, përmes të cilës nisën presionet.

Por ndërsa i gjobituri u trondit nga gjoba dhe përnatë kthehej i dehur në shtëpi duke belbëzuar para të shoqes se e kishin futur në kurth dhe se i duheshin doemos paratë për ti paguar, bashkëshortja dhe e motra guxuan dhe treguan në polici. I gjendur mes policisë, gruas dhe gjobitësve, ai e rrëfeu historinë në policinë e Tiranës ku po kryhen veprime hetimore dhe sekrete, duke hedhur hapin e parë që mbasi shkoi në shtëpinë e gjobëvënësve dhe nuk i gjeti aty, i shpalli menjëherë në kërkim.

Burimet e Gazetasi.al thonë se burri me arsim të lartë, i moshës 48 vjeç u njoh me një çift në një nga lokalet afër punës. Miqësia e tyre u kthye në një ritual të përditshëm të konsumit të kafesë.

“Gruan në fjalë e njoha përmes burrit që u bë shoku im. Gruan kam më tepër se pesë muaj që e njoh. Qëndronim bashkë të tre, pinim kafe dhe më pas raki e verë. Kam vajtur tek shtëpia e M. disa herë dhe nuk kam asnjë marrëdhënie intime me të”, ka deklaruar i gjobituri.

Ndërsa frekuentoheshin si miq që ndanin qëndrimet e tyre, në një nga ditët, gruaja e telefonon e mërzitur, thotë burimi i policisë pranë Gazetasi.al.

“Ajo më tha se D. nuk ishte dhe ajo ishte e mërzitur shumë. U ulëm për kafe tek lokali në Astir ku qëndrojmë përherë. Pranova të shkoja dhe në banesën e saj se ishte shumë e mërzitur, por nuk kam asnjë lidhje dashurore me të dhe nuk bëra asgjë në shtëpi”, denoncon shtetasi në fjalë, identitetin e të cilit Gazetasi.al e disponon.

“Kur shkova në banesë ajo më tha të zhvishesha se donte të më shikonte lakuriq dhe ashtu veprova”, shton më tej i gjobituri dhe pikërisht ky moment duhet të jetë shfrytëzuar nga gruaja e cila ndërsa po fliste me të bijën në telefon duhet të ketë përdorur aplikacionin fshehtas duke e shkrepur telefonin.

Pa kaluar shumë ore nga vizita ‘ngushëlluese’, burri i martuar është telefonuar nga shoku i kafesë.

“Pranova dhe u ulëm në lokalin e përhershëm. D. më tha: më ke bërë një nder dhe nderi lahet me nder. Më zgjati zarfin e bardhë dhe urdhëroi ta hapja. Aty pashë fotografinë time lakuriq. Pastaj ai urdhëroi; deri në fund të javës bëji 2 milionë dhe mi sill”.

Policia i thotë Gazetasi.al se denoncuesi me fotografinë në xhep s’ka guxuar të kthehet në banesë. Ai është ulur në një lokal dhe ka pirë derisa është dehur.

“Natën e parë im shoq bërtiste se ja futën dhe se i ngritën kurth dhe se i duheshin para”, dëshmon gruaja e tij që është iniciatorja e hetimit të policisë që është vënë në kërkim të gjobëvënësve. E shoqja e ka pyetur por ai nuk i ka folur me gojë. Gjendja ka vijuar e tillë gjatë gjithë javës derisa gjatë pyetjeve të shumta ku çdo natë 48-vjeçari kthehej i dehur, ai ka pranuar: ”më kanë shkrepur një foto nudo, më kanë vënë gjobë, në të kundërt do ma publikojnë në rrjetet sociale. E kam pyetur gruan pse e bëri këtë gjë dhe i kam thënë që do shkoj në polici, por ajo më njoftoi ‘policia jam unë’”, thotë i gjobituri.

Mbasi ka dëgjuar këtë rrëfim të sinqertë ku ka kërkuar të dijë nëse partneri kishte apo jo marrëdhënie jashtëmartesore me gruan tjetër, e shoqja nuk ka pritur gjatë. Ajo ja ka qarë hallin kunatës. Kunata, sipas policisë, duke i peshuar të gjitha mundësitë, ka vendosur që të dyja ato kishin vetëm një rrugë, ose ta zbulonin gruan dhe burrin gjobëvënës, ose të shkonin në polici. Dhe shkuan në polici , e cila po i kërkon të dy ndërkohë që ka administruar si provë fotografinë lakuriqe të burrit të mashtruar./GAZETA SI


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu