TIRANA- Engjëll Cani, babai i Martin Canit, ka dëshmuar për herë në parë në polici. Mësohet se babait të 14-vjeçarit sot i janë kthyer edhe sendet që kishte me vete djali i tij, ditën që u vra, si dhe çanta me librat e shkollës.
Bëhet me dije se Engjëll Cani është pyetur këtë të mërkurë për herë të parë rreth ngjarjes. Deklarimet ai i ka dhënë në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, për llogari të hetimeve që drejtohen nga Prokuroria e Kryeqytetit, teksa shprehet se nuk është vënë në dijeni nga shkolla apo instancat e tjera rreth një konflikti që ka patur 4 ditë para ngjarjes i biri me autorin e dyshuar të vrasjes Mario Përlleshaj.
Ai është pyetur nga Oficerët e Policisë Gjyqësore edhe nëse familja e autorit të dyshuar i ka kontaktuar apo takuar pas ngjarjes, teksa Engjëlli thotë se deri më sot nuk ka ndodhur diçka e tillë. Babai i të ndjerit pretendoi se bashkëshortja e tij ka marrë vetëm një telefonatë nga shkolla për çfarë kishte ndodhur, dhe pavarësisht tentativave për t’u lidhur me stafin e shkollës, nuk iu është ngritur telefoni. Engjëll Cani thotë se atë çfarë ka ndodhur e ka mësuar pasi ka mbërritur në spital.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare Fan Noli. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj.
Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçe i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.