Dështimi me “Call Center-at”! Kush ishte zyrtari që dyshohet se dekonspiroi aksionin

0

Operacioni “Call Centre” nuk pati sukses në Shqipëri! Dhe arsyeja ishte vetëm një…dekonspirimi nga radhët e “bluve” të vendit. Dosja.al ka mësuar ekskluzivisht se dyshohet që një nga efektivët me detyrë të lartë në sektorin e Krimit Ekonomik ka qenë “çimka” për të ndihmuar “bossët” e kompanive të call-centre në Shqipëri. Dyshimet bien mbi efektivin me iniciale Xh. B. (identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë)!

Për shkak të aksesit që kishte në informacionin e goditjeve dhe hetimeve që po bëheshin në Gjermani, mendohet se efektivi arkivonte të gjitha kallëzimet që bëheshin nga partnerët e huaj dhe i lajmëronte pronarët sa herë që mendonte se ndaj tyre do të kryhej ndonjë aksion. E sigurisht që për shërbimet e tij kishte një çmim, që s’kishte si të ishte më pak se i majmë. Tek e fundit po shpëtonte “bossët” nga burgu por edhe i lejonte të vazhdonin biznesin e tyre.

Por puna si informator nuk i eci shumë, pasi lëvizjet e tij të dyshimta u pikasën nga shërbimet partnere që kërkuan ndëshkimin e tij. Policia shqiptare nga ana tjetër, jo vetëm që nuk e raportoi rastin, por duket se nuk ka nisur as hetim procedurial për të. Duke u mjaftuar kështu vetëm me caktimin në një detyrë tjetër, si efektiv i thjeshtë i Policisë së Shtetit. Pa u ndëshkuar për krimin dhe dekonspirimin e operacioneve të udhëhequra nga partnerët ndërkombëtarë.

E gjitha nisi pasi fillimisht Gjermania, por më pas janë bashkuar edhe vende të tjera, si Italia dhe shtete nordike, kërkuan informacion për mashtrimin e qytetarëve të tyre nga punonjësit shqiptarë. Mashtrim që kapte vlera të frikshme monetare. Nën hetim u vunë 13 kompani, por u prangosën vetëm disa persona në Shkodër.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu