Detaje të reja nga tentativa e grabitjes së bankës së nëndheshme

0

Një skenar alla “Casa de Papel” por në versionin shqiptar u tentua mbrëmë për grabitjen e një banke në bulevardin “Zogu I”. Burime për InfowebTv bëjnë me dije se persona ende të paidentifikuar kishin gërrmuar disa ditë me radhë për grabitjen e një banke të nivelit të dytë në Tiranë, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Atje ku dje u gjet edhe një armë zjarri! Autorët i kishin vënë “syrin” një banke të nivelit të dytë poshtë një qendre tregëtare në zonë, duke nisur gërrmimin në kanalet e ujrave të zeza. Teksa rrëmonin në zonë, Policia e Shtetit mori një telefonatë për aktivitetin e çuditshëm, duke bërë që Forcat “Shqiponja” të shkonin me shpejtësi në zonë për të kontrolluar. Mesa duket veshja e tyre me jelekët e punës të punonjësve që kryejnë shërbime, nuk u ka funksionuar si mburojë.

Por me të dëgjuar sirenat, grabitësit janë larguar me shpejtësi nga vendi hyrës për në tunel, duke mos lënë asnjë gjurmë pas për të bërë të mundur identifikimin e tyre. Aktualisht Policia ka nisur nga puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes që mbeti në tentativë, duke nisur me sekuestrimin e të gjitha kamerave të sigurisë në zonë, që mund të kenë kapur detaje nga autorët. E vetmja gjë që kanë lënë pas është arma e zjarrit, e cila është dërguar për t’u testuar në laboratorin e balistikës për të zbuluar nëse është përdorur në ngjarje të tjera kriminale, apo nëse në të ka mbetur ndonjë gjurmë gishtash që mund të sjellë në zbardhjen e të gjithë skemës së grabitjes.



PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu