10 eurodeputetë të grupit socialdemokrat (S&D) i dërguan një letër presidentes së Parlamentit Europian, Roberta Metsola, ku denonconin kushtet e paraburgimit të Eva Kailit.
Parlamenti Evropian i konfirmoi Le Soir letrën, përmes së cilës dëshirojnë të denoncojnë kushtet në të cilat ish-kolegia e tyre mbahej në burgun Haren që prej 9 dhjetorit në kuadër të çështjes Katargate.
“Presidentja e mori letrën dhe do ta shqyrtojë atë. Është e zakonshme që përfaqësuesit dhe grupet e zgjedhura t’i shprehin shqetësimet e tyre presidencës me letra. Këto letra nuk janë publike”, tha shërbimi për shtyp i Parlamentit Evropian. “Presidenti është në kontakt me autoritetet belge”, shtoi ai.
Nga informacionet e Le Soir thuhet se është dërguar një letër nga 10 eurodeputetë, të gjithë me kombësi italiane. Mediumi belg e cilëson si “mbresëlënës” faktin që autorët e letrës kanë nënshtetësi italiane, nisur nga natyra e çështjes Katargate.
“Kjo nuk është një nismë e grupit S&D, por një iniciativë individuale e eurodeputetëve”, theksoi përfaqësuesi i grupit, duke iu referuar nënshkruesve për çdo kërkesë sqarimi.
Eurodeputetët, mes tyre Brando Benifei dhe Alessandra Moretti, folën për mungesë humanizmi ndaj Eva Kailit, duke nënvizuar se nuk kanë ndërmend të ushtrojnë presion.
Letra është shkruar me iniciativën e Massimiliano Smeriglio, i cili është mësuar të shkruajë letra të tilla për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Evropë.
Kujtojmë se nesër është caktuar seanca e Eva Kailit para këshillit paraprak në Bruksel.
Është hera e tretë që Eva Kaili del para këshillit paraprak, i cili do të vendosë nëse ajo do të lirohet me kusht apo do të qëndrojë në paraburgim. Të hënën e kaluar u bë e ditur se tani në Belgjikë eurodeputetja do të përfaqësohet nga një avokat i ri, kriminologu Sven Marie dhe jo Andre Rizopoulos, ndërsa në Bruksel nesër, si në të kaluarën, do të jetë avokati tjetër i saj Michalis Dimitrakopoulos.





