Dhuna ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, reagon Albin Kurti: Ndërkombëtarët të mbajnë qëndrim!

0

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhje me sulmet e ekstremistëve serbë në drejtim të gazetarëve në Leposaviq. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Kurti shkruan se sulme të tilla janë nxitur nga grupet e ekstremistëve serbë, ndërsa i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë.

Postimi i Kurtit:

Grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk e durojnë dot as policinë e as gazetarët. Policia e Kosovës i shërben drejtësisë dhe ligjit, gazetaria e Kosovës i shërben demokracisë dhe transparencës.

Sot në Komunën e Leposaviqit nga bandat kriminale janë sulmuar gazetarët që ishin të pranishëm gjatë përpjekjeve të disa individëve për të shkaktuar trazira e dhunë.

Kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup. Kameramanët tjerë, Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup. Në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, kurse në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu.

Urojmë shërim të shpejtë për kameramanët dhe gazetarët. Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim, dhe të mbështesin institucionet e Kosovës që të sjellin para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e sidomos gazetarëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu