KORÇË- Katër autorët e plagosjes së 30-vjeçarit Ramadan Hasani në ambientet e një lavazhi, janë dorëzuar në komisariatin e policisë së Korçës. Bëhet fjalë për shtetasit Spartak Selimi, Kristi Selimi, Marsel Xhakollari dhe Erion Gura. 30-vjeçari i cili ra pre e sulmit të autorëve, pas një konflikti për motive të dobëta, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur më 22 mars, ndërsa sherri ka nisur në datën 14 shkurt dhe sipas burimeve nga policia mësohet se ka qenë Ramadan Hasani dhe vëllai i tij që kanë rrahur Spartak Selimën. Më pas ky i fundit, së bashku me një familjar dhe dy shokë kanë gjetur Ramadan Hasanin dhe e kanë sulmuar me leva hekuri dhe shkopinj.
NJOFTIMI I POLICISË:
DVP Korçë/Tentuan të vrisnin me mjete të forta një 30-vjeçar, vihen në pranga 4 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Korçës.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera, për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 22.03.2024, në lagjen nr. 16, Korçë, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 4 autorëve të dyshuar të saj, pas kontrolleve të shumta dhe falë negociatave të kryera nga forcat e Policisë me familjarët e tyre, këta shtetas u vetëdorëzuan në ambientet e Policisë.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Personit të DVP Korçë, u ndaluan me iniciativë shtetasit në kërkim S. S., 32 vjeç, K. S., 31 vjeç, M. Xh., 40 vjeç dhe E. G., 49 vjeç, banues në Korçë.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në një lavazh, për motive të dobëta dyshohet se tentuan të vrisnin me mjete të forta shtetasin R. H., 30 vjeç, banues në Korçë, i cili ndodhet për mjekim në spital. Konflikti mes tyre, ka ndodhur pasi më datë 14.02.2024, shtetasi R. H., së bashku me vëllain e tij, kanë plagosur lehtë dhe i kanë dëmtuar automjetin, 32-vjeçarit S. S.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.