KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pas zgjedhjeve në Bashkimin Europian do të ketë ndërmjetës të ri që do ta marrë përsipër dialogun Kosovë-Serbi.
Prandaj, ajo tha se këta muaj deri në zgjedhje janë vendimtarë për këtë proces. Osmani konfirmoi se kjo i është thënë dhe nga vetë Lajçak.
“Janë disa muaj vendimtarë në dialog, sepse në maj janë zgjedhjet në BE. Pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisionerë të rinj, zyrtarë të rinj, të cilët do ta marrin përsipër procesin e dialogut. Sipas të gjitha gjasave dhe ndërmjetësues të ri nga ajo që më është thënë nga vetë Lajçak, i cili e ka mandatin deri diku në gusht, në mos gabofsha”, ka thënë Osmani.
Kujtojmë se procesi i dialogut mes dy vendeve është “goditur” nga vendimi i BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit serb, ku ndërkombëtarët kanë pasur kritika të forta për Kosovën.
Ndërkohë dje, zëdhënësi i unionit, Peter Stano konfirmoi se BE-ja i kishte ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit në një takim që parashihej të zhvillohej më 27 shkurt.