Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj deklaroi se do të jetë në mbështetje të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti në përballjen e ashpër politike me Serbinë. Në profilin e tij në Facebook, ish-kryeministri i Kosovës theksoi se nuk është momenti për tërheqje, dorëheqje në këtë situatë të vështirë për Koosvën, duke i konsideruar këto veprime si “dezertim”.
Haradinaj shtoi se nuk është momenti për debate dhe përplasje të brendshme në Kosovë kur përpara sfidën e arritjes së marrëveshjes me Serbinë.
POSTIMI I RAMUSH HARADINAJT
UNITET E JO TËRHEQJE PËRBALLË SERBISË
Informatat për situatën e sigurisë në Ballkan, kurrë nuk kanë qenë më shqetësuese në këto njëzet e sa vjet. Kosova sot është përballë sfidave të mëdha që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj. Natyrisht sfida më e madhe është marrëveshja finale me Serbinë, e cila ka të ngjarë të hyjë në fazën e vet përfundimtare.
Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri i saj Albin Kurti, e kanë marrë përgjegjësinë por edhe besimin e elektoratit, për t’i adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përmbylljen e shtetësisë së Kosovës.
Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër e kanë kërkuar dhe e kanë marrë mbështetjen e popullit, 50 plus për qind, për t’i zgjidhur temat e mëdha dhe sot nuk e kanë komoditetin që as ta mendojnë tërheqjen eventuale nga kjo betejë. Në të kundërtën kjo do të konsiderohej dezertim në raport me interesin shtetëror e kombëtar të Kosovës.
Kosova sot, më shumë se kurrë ka nevojë për unitet politik, në mënyrë që njëzëri ta mbrojë interesin e vet.
Unë dhe Partia ime si dhe Grupi Parlamentar i AAK-së, jemi të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jemi aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kjo duke mos rrezikuar për asnjë moment të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.
Kosova sot nuk e ka komoditetin e debateve as për tërheqje, as për dorëheqje e as për zgjedhje të reja.
Qeveria e shumicës duhet t’i marrë përgjegjësitë e zgjidhjes së çështjeve të hapura. Për beteja të brendshme politike kurrë nuk është vonë.