Përfundimi i procesit nxjerr në pah edhe shpërndarjen e votës se diasporës ku ndërmjet socialistëve dhe demokratëve, diferenca është e dukshme, në çdo tre vota, dy janë për PS dhe një për PD-në.
Kjo epërsi thelloi avantazhin e krijuar nga mazhoranca brenda vendit, ndërsa diaspora shtoi vetëm një deputet më shumë për socialistët në qarkun e Vlorës, duke finalizuar rezultatin në 83 mandate parlamentare.
Por nëse impakti i garës mes partive ishte minimal, ndërmjet kandidatëve vota e diasporës rezultoi përcaktuese. I pari ishte Isuf Çela nga demokratët në Kukës që falë preferencave nga jashtë vendit spostoi Shkëlqim Shehun duke marrë mandatin e dytë në këtë qark për opozitën.
Në Lezhë Admir Kadeli i PS-së ktheu rezultatin e Marjeta Nelit, e cila deri në mbrëmjen e së hënës e mendonte veten deputete të Kuvendit.
Historia u përsërit edhe në Tiranë ndërmjet Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, ku ish-ministrja e Jashtme përmbysi votat brenda vendit dhe krijoi një avantazh prej 140 votash duke i rrëmbyer mandatin koleges.
Këto festa sollën edhe hatërmbetje ku pesë socialistë iu drejtuan KQZ për pamje filmike, veprim të cilin i deleguari i PS-së për diasporën, Taulant Balla e konsideroi të panevojshme. Pas porosisë së ngjashme edhe të Edi Ramës, mesazhi duket se po dëgjohen dhe kërkesat për pamje filmike nuk po zbatohen.
Ndërkohë PS i lë derën hapur forcave të reja opozitare për të trajtuar në Parlamentin e ardhshëm shqetësimet e tyre mbi Kodin Zgjedhor.
KQZ pritet të vijojë me miratimin e rezultateve paraprake, akt i cili i hap rrugën ankimeve institucionale, ku Partia Demokratike është shprehur se nuk e njeh procesin zgjedhor duke e konsideruar një farsë.