Ish-deputeti i Partisë Socialiste Spartak Braho ka deklaruar se pas paralajmërimit të tij se mund të vritej deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, në protestën e 8 Janarit, kishte marrë telefonata të shumta. I ftuar në emisionin ‘Frontline’ në ‘News24’, Braho tha se në atë periudhë ka pasur garë telefonatash nga deputetë që e pyesnin nëse ishin apo jo mes atyre në shënjestër.
“Disa shërbime të inteligjencës shqiptare dhe të huaja paralajmëruan dhe parashikuan se çfarë do ndodhte, gjë që u vërtetua. Shërbimet e parashikuan që në rrethin e atyre që do goditeshin ishte Alibeaj. Nuk ishte deklaratë për scoop. Alarmi ishte real. Ata po të kishin hyrë do kishin bërë namin. Nuk do ndaleshin me një apo disa të vrarë. Ka pasur një garë telefonatash që më kanë pyetur: Ore po unë isha?! Kanë qenë apo nuk kanë qenë në listën për t’u vrarë apo sakatuar. Ishin deputet të interesuar të PD-së. Ka njerëz aty që edhe u pëlqen viktimizimi”, tha Braho.
Spartak Braho paralajmëroi në 7 janar se një deputeti të Partisë Demokratike me inicialet E.A. rrezikohej të vritej në protestën e një ditë më pas në selinë blu.