– Sytë e të gjithëve sonte do të jenë në grupin “A”, ku gjigantët e Manchester City presin në “Etihad Stadium” PSG-në, për një beteje që pritet të rezervojë spektakël. Po në këtë grup, Lajpcigu do të jetë udhëtuese në Belgjikë, aty ku do të përballet me Bryzhin.
Në grupin “B”, Milani ka shansin e fundit për të shpresuar zgjatjen e aventurës në Europë, me kuqezinjtë që do të luajnë në “Wanda Metropolitano” përballë spanjollëve të Atletico Madridit.
Një sfidë mjaft e vështirë për skuadrën e Piolit, që vjen me një sërë mungesash dhe një humbje 4-3 në kampionat ndaj Fiorentinës. Po në këtë grup, Liverpuli pret në shtëpi Porton.
Në grupin “C”, Borussia Dortmund luan në transfertë ndaj Sporting Lisbonës, ndërsa Ajax do të udhëtojë drejt Turqisë për t’u përballur me Besiktas.
Në grupin “D”, Interi i ka vetë në dorë fatet e kualifikimit në raundin tjetër. Zikaltrit presin në shtëpi Shahtarin e De Zerbit, që pritet t’i hapë mjaft punë Inzagit. Po në këtë grup, Reali do të kërkoj hakmarrjen ndaj Sheriff Tiraspolit, pas asaj humbje turpëruese në “Santiago Bernabeu” disa javë më parë.