PORTUGALI – Cristiano Ronaldo Jr. e ka nisur zyrtarisht karrierën e tij ndërkombëtare, duke debutuar me kombëtaren U-15 të Portugalisë. I grumbulluar për turneun “Vlatko Markovic”, që po zhvillohet në Kroaci, 15-vjeçari (i cili preferon të quhet Cristiano Dos Santos) hyri në fushë në minutën e 53-të dhe, siç pritej, të gjithë sytë ishin tek ai dhe CR7 i emocionuar në tribunë. Gjatë rreth 30 minutave në fushë, “Cristianinho” nuk mori pjesë në asnjë nga golat e Portugalisë, që gjithsesi fitoi me rezultatin 4-1.
Sipas asaj që ka raportuar tabloidi “The Sun”, shumë klube kishin dërguar skautët e tyre për të ndjekur nga afër djalin e yllit portugez, i cili aktualisht luan në akademinë e Al-Nassr. Në avantazh është Manchester United, që e njeh mirë lojtarin e ri, pasi ka qenë pjesë e akademisë së kuqe për 14 muaj, ku ndante dhomën e zhveshjes me Kai Rooney, djalin e Wayne Rooney. Konkurrenca për të siguruar shërbimet e djalit të CR7 do të jetë e fortë.
Në garë është edhe Tottenham, ndërsa në tribunë ishin të pranishëm skautë të 10 klubeve gjermane, përfshirë Bayern Munich, Borussia Dortmund, RB Leipzig dhe Hoffenheim. Ndërkohë, edhe tri klube italiane kishin vëzhguesit e tyre në Kroaci: Inter, Juventus dhe Atalanta. Po ashtu, i interesuar është edhe Salzburgu.