Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen rekord të çmimeve të karburantit në Shqipëri. Megjithëse lufta me armë dhe bomba bëhet mijëra kilometra larg kufijve tanë, efektet e para ekonomike kanë ardhur edhe në Shqipëri, teksa më të prekurit janë konsumatorët. Para luftës, çmimi mesatar i një litri karburant (naftë e benzinë) ishte 175 lekë. Ndërkohë, gjatë luftës çmimi maksimal në Shqipëri shkoi plot 270 lekë. Pra, 95 lekë më shumë! Një rritje historike, teksa jo çdo pikë karburanti ka pasur të njëjtin çmim. Pikat e karburanteve filluan rritjen e menjëhershme, teksa brenda orës çmimi ndryshohej disa herë. Kulmi ishte data 9 mars, teksa në bursë një fuçi naftë shkoi në 130 dollarë. Por, aktualisht çmimi në bursë është ulur ndjeshëm, teksa një fuçi nafte po prek kufirin e 100 eurove. Por, sërish, disa pika karburanti në Shqipëri nuk e pasqyrojnë në çmim.
Fiks Fare bëri një vëzhgim në pikat e karburantit në Tiranë, ku çmimi ndryshonte në plot 30 lekë.
Siç u konstatua nga kamera e Fiks Fare, megjithëse ka një ulje nga 9 marsi, sërish karburantet nuk e kanë reflektuar uljen e çmimit në bursë. Disa pika e kanë çmimin 216 lekë, të tjera 220 lekë, ndërkohë që ka edhe karburante me 246 lekë. Por, ja çfarë bëjnë punëtorët e karburanteve. Në një pikë, punonjësi po ndryshon çmimin, nga 245 lekë e çon në 239 lekë! Pra, 6 lekë për litër. Pas këtij konstatimi, gazetarët e Fiks Fare shkuan në disa pika karburanti në Tiranë, për të pyetur punonjësit se kush i vendos çmimin.