“Do përballemi dhëmb për dhëmb me Ramën”/ Berisha: Po të mos ishin protestat, Veliaj do ishte në zyrë sot

0

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar sot se po të mos ishin protestat e udhëhequra nga Belind Këlliçi, 46 javë në çdo lloj moti, Erion Veliaj do ishte sot në zyrë. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se PD do të përballet “dhëmb për dhëmb” me Edi Ramën.

Nga zyra e selisë blu, Kryedemokrati tha se ministria Belinda Balluku nuk është fajtorja e vetme e tunelit të Llogarasë, por sipas tij fajtori kryesor është Kreyeministri Rama. Në lidhje me këtë Berisha deklaroi se PD do të nis protestat, të cilat do të ndalen kur Edi Rama të largohet nga zyra e tij.

“Ne jemi ata që do përballemi dhëmb për dhëmb me Edi Ramën. Do përballemi dhëmb për dhëmb me Edi Ramën.
Koha është e guximtarëve. U garantoj unë ju se po të mos jenë ato protesta udhëhequra nga Belind Këlliçi, 46 javë në çdo lloj moti, Erion Veliaj do ishte në zyrë sot. Dhe ne, të jemi realistë, të gjithë e dinim se Erion Veliaj nuk ishte Edi Rama, ama në ligësira, në qoftë se kishte vëlla siamez me Edi Ramën dhe të papërsëritshëm, ishte Erion Veliaj. Kështu që ai mund dhe ajo djersë, ai guxim dhe ajo sakrificë, ka qenë, në vlerësimin tim, ndër më eficentet dhe më të rëndësishmet që ka bërë PD. Ai përbënte një rrezik madhor për vendin me karakterin e tij, në çdo aspekt. Me të ne shpëtuam vendin nga njëra gjysmë e zezë e Edi Ramës. Gjysma tjetër është edhe më e zezë. Por kësaj here ne nuk bëjmë atë analizë si përpara. Jo. Kësaj here kemi djallin për brirësh. Kësaj here do kapim Edi Ramën. Jo, nuk e pranojmë ne se Lubia qenka fajtori kryesor për tunelin. Jo, nuk është fajtori kryesor.

Fajtori kryesor është Edi Rama, pastaj vjen Lubia. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që në mënyrë absolute do të nisim protestat të cilat do të ndalen kur Edi Rama të largohet nga ajo zyrë. Në qoftë se demokratët nuk shkojnë tek Sulltani të përballen me të, nuk kanë asnjë kredibilitet, asnjë të drejtë morale të shkojnë tek zgjedhësit. Jo. Pra, kjo është afera ku mbreti ka dalë lakuriq. Ai e ka bërë atë. Sikundër ai ka bërë aeroportin e Vlorës. Njëlloj. Kurse kjo, duke zbatuar porositë e tij, sepse në aeroportin e Vlorës vidhet në mënyrë të majme. Ku mund ta bënte ministrja aeroportin në atë mënyrë që të vidheshin shqiptarët 140 milionë euro për bileta të munguara? Po kishte gjetur Edi Ramën skemën për të vjedhur dhe e nxori që aeroporti i Vlorës është më i madhi i Ballkanit. Vjedhja më e Ballkanit është kjo. Edhe aty do kthehemi. Se këto që janë, këtu nuk mund të thotë Edi Rama se më hanë dardha, më hanë kumbulla. I ha vetë dardhat, i ha vetë kumbullat dhe bishtat i hedh mbrapa se çfarë mbetet për të tjerët,” tha Berisha.