Ministria e Jashtme Olta Xhaçka, ka vizituar para pak çastesh çadrat e ngritura në Rinas, ku pritet që shtetasve afganë të cilët do të vijnë në vendin tonë do t’i bëhen vizitat e caktuara mjekësore.
Sapo të mbërrijnë në Rinas mësohet se shtetasve afganë do tu bëhet tamponi dhe më pas ata do të transportohen me autobusë të shoqëruar dhe nga forcat ushtarake dhe policore drejt konvikteve në Qytet Studenti, ku do të bëhet dhe strehimi i tyre.
Burime i thanë FaxNews se refugjatët e parë do të zbresin rreth mesditës në pistën aeroportuale të Forcës Ajrore të Rinasit, ku do të jenë të pranishëm edhe zyrtarë të lartë, përfshirë anëtarë të kabinetit qeveritar apo të zyrave diplomatike.
Kujtojmë se në total pritet të mbërrijnë në vendin tonë 2000 shtetas nga Afganistani, bashkëpunëtorë të ShBA-ve dhe NATO-s në luftën 20-vjeçare, një pjesë e të cilëve pritet të akomodohet në konviktet e QS dhe pjesa tjetër në hotele në zonën e Durrësit.