Deputeti i Partisë Socialiste Rrahman Rraja njoftoi të shtunën tërheqjen nga parlamenti pas publikimit të një videoje në të cilën familjarë të tij, përfshirë dy vëllezër, i biri dhe disa nipër, shfaqen duke dhunuar në mënyrë mizore dy qytetarë, “krimi” i të cilëve ishte se ishin ankuar në polici për shpërthimet e eksplozivëve në një gurore nën pronësinë e të vëllait të deputetit, ndërsa kryeministri Edi Rama përballet me skandalin e rradhës të qeverisjes së tij.
“Deklaroj dorezimin e mandatit te deputetit dhe terheqjen time nga jeta politike,” deklaroi Rraja, i cili ka qenë kryekomunar i Niklës nga viti 2003 deri në vitin 2015 dhe deputet i Partisë Socialiste, pasi ka mbaruar studimet në Universitetin Bujqësor në vitet 2003-2007.
Deputeti deklaroi se ai e konsideron veten “prind të dështuar” dhe i bëri thirrje të birit, i cili është shpallur në kërkim nga policia, të dorëzohet.
“Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë”, deklaroi Rrahman Rraja.
Një video [link] disa anëtarë të familjes Rraja dhunojnë me shkopa bejsbolli dy kushërinj, pasi i gjetën ata në një lokal. Në video dëgjohet dikush që bërtet “Vrite – Vrite!” ndërsa goditjet e pamëshirshme vijojnë, në një akt që dukshëm ishte i synuar për të frikësuar viktimat, edhe pasi këta të fundit ishin të rrëzuar në dusheme.
BIRN pyeti zyrën e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në lidhje me ngjarjen. Që të dy nuk janë përgjigjur për komente mbi këtë shkrim deri në kohën e publikimit.
Ngjarja e rrahjes së banorëve të fshatit Borizanë u pa nga publiku i gjerë si tregues i kontrollit të bandave mbi territorin e vendit dhe pafuqishmërinë e Policisë së Shtetit për të ushtruar detyrën e vet kryesore, kontrollin e territorit. Të shtunën, kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku u takua me ministrin e Brendshëm Blendi Çuçi. Në fund të takimit, policia deklaroi se komisariati i Fushë-Krujës, ku gjendet edhe Nikla, “do të riorganizohet”, duke pranuar në mënyrë indirekte dështimin e kontrollit të territorit në një zonë famëkeqe për praninë e krimit të organizuar.
Policia gjithashtu i bëri thirrje publike të shtunën Xhelal Rrajës, (i vëllai) dhe Rexhep Rrajës (i biri) i deputetit, të dorëzohen.
“Policia e Shtetit i bën thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për tu dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit,” thuhet në njoftim.
Rrahman Rraja është deputet i Partisë Socialiste që nga viti 2017 por ai u bë i njohur për publikun e gjerë në vitin 2018, kur një vajzë 25 vjeçare denoncoi të birin e tij Rexhepin, për përdhunim. Një ish-oficer policie, Emiljano Nuhu, kërkoi strehim politik në Zvicër pasi deklaroi se ishte kërrcënuar nga familja Rraja. Denoncuesja ofroi mbështetje publike për të denoncuarin më vonë ndërsa ecuria e gjykimit të tij për përdhunim është e paqartë.
Në vitin 2021, një anëtar tjetër i familjes, Redjan Rraja, u arrestua i dyshuar për pjesëmarrje në atentatin kundër ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe Landi Muharremit, i njohur edhe si Rrumi i Shijakut, një figurë e njohur e krimit të organizuar, aktualisht në kërkim./BIRN