Drafti për Kodin e ri Penal, as Bashkimi Europian nuk ishte pjesë e hartimit: Duhet konsultim gjithëpërfshirës! Legjislacioni ka nevojë për ndryshime

0

Ashtu sikurse Prokuroria e Përgjithshme apo dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që nuk kanë qenë pjesë e strukturës së ngritur për hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, i njëjti reagim ka ardhur dhe nga Bashkimi Europian.

Në një prononcim për Top Channel, zyra e Brukselit të Tiranë njofton se Bashkimi Europian nuk ka pasur asnjë përfaqësues pjesë të grupit të ekspertëve të ngarkuar nga qeveria për hartimin e draftit dhe se ende nuk ka një qëndrim mbi këtë çështje.

Ndërsa BE thekson se për t’iu përafruar standarteve të Bashkimit Europian, është e nevojshme ndryshimi i një sërë dispozitash në Kodin Penal, por kjo nuk mund të anashkalojë nevojën kryesore për konsultimin gjithëpërfshirës të aktorëve kryesorë të shtetit të së drejtës me qëllim hartimin e një legjislacioni të një cilësie të lartë.

Reagimi i plotë:

Bashkimi Evropian ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria.

Bashkimi Evropian nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve dhe ende nuk ka një qëndrim mbi këto projekt-amendamente.

Duke qenë se rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë, BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.

Si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së. Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim.