Drejtoria e Burgjeve reagon ndaj akuzave për mosparaqitjen e Veliajt në gjyq: Nuk ka pasur pengesë nga ana jonë

0

Tiranë, 5 janar 2026 – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht ndaj pretendimeve të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ka deklaruar se mosparaqitja e tij në seancën paraprake të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u shkaktua nga vonesa e eskortës së Policisë së Burgjeve nga paraburgimi i Durrësit drejt Tiranës.

Në një njoftim për mediat, Drejtoria e Burgjeve i cilëson të pavërteta këto pretendime, duke sqaruar se mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP Durrës në orarin e parashikuar për transferimin.

Sipas institucionit, Veliaj është njoftuar në kohë për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore, por ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti shoqërues kishte mbërritur me vonesë.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor”, thuhet në reagim.

Reagimi i Burgjeve vjen pas deklaratave të bëra në media nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, lidhur me mungesën e Veliajt në seancën gjyqësore.