Prokuroria e Posaçme ka nisur procedurën e riemërimit për drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, pasi kjo e fundit ka shprehur interesin për një mandat të dytë 5-vjeçar.
Përmes një shkrese drejtuar KLP-së, Hajnaj ka kërkuar informacion lidhur me komisionin që do të bëjë vlerësimin, ndërsa bëhet me dije se ajo ka kërkuar riemërim në mënyrë automatike.
Por SPAK deklaroi se Hajnaj duhet të kalojë të gjitha fazat e testimit me sukses për t’u rikonfirmuar.
“Duke qenë se kemi të bëjmë me një proces riemërimi, ky proces i adresohet vetëm Drejtorit në detyrë, i cili duhet të plotësojë sërish të gjitha kriteret ligjore dhe të kalojë në të gjitha fazat e testimit të parashikuara nga ligji nr. 95/2016.
Në rast se Drejtori në detyrë nuk kalon te gjitha fazat e përzgjedhjes te procedurës se riemërimit, Komisioni e përmbyll këtë proces dhe çel procedurën e emërimit përmes një gare të hapur, ku mund të aplikojnë të gjithë kandidatët të cilët plotësojnë kriteret ligjore për pozicionin e Drejtorit të BKH-së”, deklaroi SPAK në një njoftim për mediat.
Procedura e verifikimit të drejtueses në detyrë të BKH-së, Aida Veizaj Hajnaj, po kryhet nga Komisioni i Përzgjedhjes, i përbërë nga kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra.
Në rast se drejtuesja në detyrë do t’i kalojë me sukses fazat e verifikimit, emri i saj do t’i propozohet për një mandat të dytë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Byroja Kombëtare e Hetimit është struktura e specializuar e Policisë Gjyqësore, e cila kryen veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
Anomalia e procesit të zgjedhjes së kreut të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit i ka rrënjët te neni 33 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve antikorrupsion, i cili e kufizon garën e hapur mes kandidatëve me të drejtën që i jep drejtuesit aktual për t’u riemëruar për një mandat të dytë 5-vjeçar.
Megjithatë, ligji parashikon në nenin 6 që asnjë kandidat nuk mund të caktohet në detyrë pa plotësuar më parë kushtet e sigurisë; të tilla si kontrolli i figurës dhe i pasurisë si dhe dhënien e pëlqimit për vete dhe familjarët për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe telekomunikimeve.
Aida Hajnaj u emërua si drejtore me Byrosë Kombëtare të Hetimit nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me më 30 korrik të vitit 2020. Deri në ato momente ajo mbante pozicionin e zëvendësdrejtores së Policisë së Shtetit, funksion që mbante prej 2018-ës. Më parë ajo ka ushtruar detyrën drejtores së Departamentit për Kufirin dhe Migracionin pranë Policisë së Shtetit.