Një delegacion nga Afganistani, që kryesohej nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Afgane të Futbollit, Fazil Mohammad Shahab, ka vizituar ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në Tiranë.
Pjesë e këtij delegacioni ishin edhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Afgane, punonjës së federates, si dhe përgjegjësit e marrëdhënieve me publikun, financës, trajneri i skuadrës së femrave, skuadra e futbollit të femrave, etj.
Delegacioni afgan u prit nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zv.presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku, si dhe anëtarja e KE-së, Anila Basha. Miqtë fillimisht bënë një vizitë në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, si dhe në muzeun e FSHF-së.
Gjatë takimit, Presidenti Duka i uroi mirëseardhjen miqve nga Afganistani dhe theksoi se FSHF është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për nevojat e Federatës Afgane të Futbollit. Kreu i futbollit shqiptar u shpreh, se FSHF-ja do të ofrojë bazën materiale për stërvitje, fusha stërvitore, si dhe ndeshje miqësore me ekipin e vajzave.
Gjithashtu, do t’u ofrohen zyra në “Shtëpinë e Futbollit” për stafin e Federatës së Afganistanit gjatë kohës së qëndrimit të tyre në Shqipëri, si edhe do të vlerësohen mundësitë e bashkëpunimit dhe komunikimi mes palëve do të jetë i vazhdueshëm.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i Federatës Afgane të Futbollit e falënderoi presidentin Duka dhe FSHF-në për mikpritjen dhe mbështetjen e dhënë, teksa u shpreh i gatshëm për të vijuar bashkëpunimin midis dy federatave.
Një grup prej rreth 150 personash nga Afganistani, ku përfshihen zyrtarë të Federatës Afgane të Futbollit dhe skuadrën e futbollit të femrave, ndodhen aktualisht në Shqipëri. Ata janë evakuuar fillimisht nga Afganistani për në Katar dhe më pas në Shqipëri me ndihmën e FIFA-s. Afganët ndodhen në Shqipëri përkohësisht në statusin e të mbrojturve, dhe do të transferohen më pas në Kanada, raporton zyra e shtypit në FSHF.