Gjykata e Posaçme ka lënë në burg shefin e Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka dhe atë të sektorit të Aksidenteve, Sokol Novakun, të arrestuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK, ata u arrestuan pasi i kanë marrë ryshfet 2 mijë euro një shofereje që u përfshi në një aksident rrugor në Tiranë më 16 prill.
Roven Zeka është shprehur para GJKKO se ai është një oficer karriere në rradhet e Policisë se Shtetit ndërsa oficerit Sokol Novaku nuk i janë pranuar argumentat për një masë më të butë sigurie për shkak të rrethanave familjare.
Dy shefat e rrugores kanë deklaruar se ata kanë zbatuar procedurën standarte duke referuar materialet në prokurori për drejtuesen e aksidentit.
Ata kanë mohuar dijeninë apo përfshirjen e tyre në veprimet dhe mos veprimet e oficerit Edison Tabaku.
Në urdhrin e ndalimit të lëshuar nga prokurorja Elida Kackini evidentohej se të 3 punonjësit e policsë janë transferuar në Tiranë nga strukturat e drejtorisë vendore të policisë Elbasan ku kanë shërbyer më parë.