Në studion e emisionit “Real Story”, po diskutohet lidhur me zhvillimet e fundit në PD. Analisti Fatos Lubonja, tha gjatë fjalës së tij se vendimet e Bashës ishin të dëmshme si në terma afatshkurtra, por edhe afatgjatë.
Sipas tij, vendimi për përjashtimin e Berishës përçau partinë, por edhe risolli modelin e një lideri autoritar, që e kemi parë edhe në të shkuarën.
Lubonja: Unë mund të them që Basha detyroi Berishën të mblidhte Kuvendin e datës 11. Hajd ta gjykojmë se si u mor ky vendim i Bashës për të përjashtuar Berishën. Në terma afatshkurtra, u nda më dysh PD dhe janë bërë copë. Nuk ka asgjë pozitive. Në terma afatgjata, hapen precedentë. Ne tani flasim berishizmi. Po ç’a është kjo në thelb? Është një lider autoritar, që krijon lidhje vertikale e vendos ai me dorë të hekurt. Ky si e mori vendimin për përjashtimin e Berishës? Në formë berishiste? Po patjetër. Basha mori një vendim të gabuar politikisht, sepse çau partinë. Në terma afatgjatë përforcon një model që na ka shkaktuar probleme. E treta, unë kërkoj të ndërtohet një Shqipëri që ka dinjitet. Unë dua që të vendosin shqiptarët, që legjitimitetin t’ia japin shqiptarët dhe jo ambasadorët. Në këtë aspekt, Basha është i dëmshëm në terma afatshkurtra dhe i dëmshëm në terma afatgjata. Sipas statutit nëse ke 1800 vota mund ta thërrasësh Kuvendin. Ajo është thërritur nga më shumë se 1/3.