SPAK ka përfunduar hetimet për një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit, që përfshin ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Hetimet janë fokusuar në tre çështje kryesore: aferën CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe hetimin pasuror ndaj ish-çiftit Meta-Kryemadhi.
Të dy janë hetuar për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave, si dhe mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë. Meta dhe Kryemadhi, të cilët janë divorcuar pak kohë më parë, do të përballen së shpejti me komunikimin zyrtar të akuzave.
Monika Kryemadhi pritet të njoftohet për akuzat në mesditë, ndërsa për ish-presidentin Meta njoftimi është parashikuar në orën 14:00 të kësaj të marte. SPAK do të komunikojë gjithashtu akuzat ndaj dy personave të tjerë të përfshirë në këtë dosje: Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.
Brenda pak ditësh, dosja pritet të dërgohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku do të mbahet seanca paraprake. Në këtë fazë, gjykata do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, do të kthehet për plotësim hetimesh apo do të pushohet.