“E kishim lëvizur uraniumin”, Irani tenton të zvogëlojë dëmin nga sulmi amerikan në bazën bërthamore të Fordow

0

Zyrtarë të lartë iranianë kanë deklaruar se pjesa më e madhe e uraniumit shumë të pasuruar është larguar nga baza bërthamore në Fordow përpara se të ndodhnin sulmet ajrore të SHBA-së.

Sipas burimeve që folën për agjencinë Reuters, personeli në këtë objekt nëntokësor ishte reduktuar në minimum përpara bombardimeve.

Fordow ishte një nga tre objektet bërthamore iraniane që u goditën nga forcat amerikane të shtunën në mbrëmje, së bashku me Natanzin dhe Isfahanin.

Analiza e CNN: Hakmarrje apo diplomaci? Pas sulmeve të Trump, përgjigja e Teheranit do përcaktojë fatin e rajonit
Lajmi vjen në një kohë kur tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm pas vendimit të SHBA për t’iu bashkuar fushatës ushtarake të Izraelit kundër Iranit.

Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami, i ka dërguar një letër Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), ku kërkon hetim të menjëhershëm për sulmet amerikane. Ai e quajti veprimin e SHBA-së si “të paligjshëm” dhe kritikoi shefin e IAEA-së, Rafael Grossi, për “mosveprim” përballë një agresioni të tillë. Sipas Eslamit, Irani ka ndërmarrë të gjitha masat për të mbrojtur të drejtat e tij sovrane dhe do të ndjekë rrugët ligjore për të kërkuar llogari.

Për më tepër, ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, dhe presidentes aktuale të Këshillit të Sigurimit, Carolyn Rodrigues-Birkett.

Në të, ai kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit për të dënuar sulmet ajrore të SHBA-së si “të qëllimshme, të paramenduara dhe të paprovokuara”. Iravani akuzon SHBA-në dhe Izraelin për bashkëpunim në agresion dhe thekson se aktet e tilla kanë pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.