Pushtimi rus është në ditën e katërt dhe masat e ashpra sa vijnë e shtohen. Por si po i përgjigjen vendet Rusisë?
*Bashkimi Evropian ka mbyllur hapësirën ajrore ndaj Rusisë, duke përfshirë avionët privatë të oligarkëve. “Ne po propozojmë një ndalim të të gjithë avionëve në pronësi ruse, të regjistruara në Rusi dhe të kontrolluara nga Rusia. Këta avionë nuk do të jenë më në gjendje të ulen, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e Bashkimit Evropian. Kjo do të zbatohet për çdo Aeroplan,”- tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
*BE ndalon mediat ruse Russia Today dhe Sputnik. Kryediplomati i BE-së Josep Borrell në një konferencë shtypi në Bruksel njoftoi se blloku do të ndalonte të dy mediat në një përpjekje “për të luftuar” dezinformimin rus. “Ne po e mbysim gjarprin nga koka,”- tha Borrell.
*Më shumë se gjysma e rezervave të bankës qendrore të Rusisë do të bllokohen sipas sanksioneve të reja të BE-së. Kështu njoftoi Borrell. Duke folur së bashku me von der Leyen në Bruksel, Borrell tha të dielën se do të siguronte miratimin politik të 27 vendeve anëtare të BE-së për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë. Sipas paketës, “bankat e rëndësishme ruse do të përjashtohen nga sistemi SWIFT, “- tha von der Leyen në konferencën për shtyp.
*Anglia i bashkohet Republikës Çeke, Polonisë dhe Suedisë në refuzimin për të luajtur ndonjë ndeshje të mundshme futbolli me Rusinë. Organi qeverisës i futbollit anglez njoftoi se Anglia nuk do të luajë me Rusinë në asnjë ndeshje futbolli.
*Kryeministri i Ontarios udhëzon agjencitë kanadeze që të tërheqin produktet ruse. Ai kërkoi që në raftet e dyqaneve kanadeze të mos kishte më prodhimë ruse dhe të kontrollohej gjithçka nga Ministria e Financave.
*Nju Jorku ka ndërprerë transaksionet me entitetet ruse. Guvernatori Kathy Hochul nënshkroi një urdhër ekzekutiv që udhëzon bizneset shtetërore të ndërpresin transaksionet me entitetet ruse. Hochul bëri thirrje për një rishikim të të gjitha blerjeve shtetërore dhe tha se nuk do të lejojë asnjë investim që ndihmon drejtpërdrejt ose tërthorazi Rusinë. Urdhri hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në fuqi derisa të hiqen sanksionet ekonomike federale kundër Rusisë.