E PLOTË/ Sot merret vendimi për shkarkimin apo jo të tij, pse Meta kërkon ndryshimin e trupës gjykuese (Argumentet)

0

Është zbardhur qëndrimi i plotë i presidentit Meta, gjatë seancës së sotme në Gjykatën Kushtetuese, ku ka kërkuar ndryshimin e trupës, pasi sipas tij disa prej anëtarëve janë të njëanshëm, në këtë proces.

Qëndrimi është lexuar në seancë nga Bledar Dervishaj, dhe është bërë publik nga zëdhënësi Tedi Blushi.

Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,

Gjykata Kushtetuese, është investuar nga Kuvendi i Shqipërisë përmes Vendimit nr. 55/2021, datë 9.6.2021, të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ‘Për shkelje të rënda të Kushtetutës”’. Ky vendim i Kuvendit, që sipas procedurës konsiderohet dhe kërkesa e këtij organi për shkarkimin e Presidentit të Republikës, është administruar pranë Gjykatës Kushtetuese në datë 14.6.2021.

Çështja që është paraqitur prej kohësh (datë 14.6.2021) para jush, por që po merret në shqyrtim vetëm tani në muajin 1 shkurt 2022, është një çështje që jo vetëm shtrohet para Gjykatës Kushtetuese të vendit, për herë të parë, por që lidhet drejtpërdrejtë me vetë funksionimin e shtetit të së drejtës, respektimit të sistemit demokratik, ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe kryesyerja unitetit të popullit, parime themelore këto të cilat nuk janë respektuar apo janë dëmtuar rëndë për shkak të atyre ngjarjeve, zhvillimeve dhe rrethanave absurde që kanë ndodhur në vend, dhe që shkaktuar një krizë të paprecedentë kushtetuese, politike, përfaqësimi dhe institucionale në Republikën e Shqipërisë në këto tre vitet e fundit, dhe që krejtësisht në mënyrë të panevojshme dhe të pajustifikuar, kanë sjellë si pasojë fundore edhe investimin e panevojshëm të gjykatës kushtetuese me një çështje, që as duhet të ekzistonte.

Megjithatë, pa filluar shqyrtimi i kësaj çështje, për shkaqe që do t`i parashtrojmë në vijim, paraqesim këtë kërkesë paraprake lidhur me anëtarët e trupës gjyqësore, pikërisht për shkak të ekzistencës së disa shkaqeve që krijojnë bindjen se, vënë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese në këtë gjykim me objekt, shqyrtimin e vendimit nr. 55/2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ‘Për shkelje të rënda të Kushtetutës”’.

Ligji nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenet 34 dhe 36 të tij, përcakton se:

“Neni 34

Të drejtat e gjyqtarit në gjykimin kushtetues

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese ka të drejtë:

a) të marrë pjesë në shqyrtimin e çdo çështjeje, me përjashtim të rasteve kur ndalohet nga ligji;
b) të njihet me përmbajtjen dhe gjithë materialet e çështjes në shqyrtim;
c) gjatë shqyrtimit, t’u drejtojë pyetje e të kërkojë shpjegime nga pjesëmarrësit në gjykim, si dhe nga personat e thirrur si dëshmitarë ose ekspert;
ç) të marrë pjesë në bisedimet përfundimtare dhe të shfaqë lirisht mendimin e tij për mënyrën e përfundimit të çështjes që shqyrtohet.”

“Neni 36

Heqja dorë nga shqyrtimi i çështjes

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese kërkon heqjen dorë nga shqyrtimi i një çështjeje konkrete kur:
a) ka marrë pjesë në hartimin e aktit objekt shqyrtimi;
b) ka deklaruar publikisht qëndrimin e tij ndaj çështjes;
c) për shkak të lidhjeve fisnore apo lidhjeve të tjera me pjesëmarrësit në gjykim vihet në dyshim paanshmëria e tij;
ç) paanshmëria e tij vihet në dyshim për shkaqe të tjera.

Kur objekt shqyrtimi është një ligj ose akt normativ, i cili mund të ketë efekte edhe për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, heqja dorë e tij ose kërkesa për përjashtim për këtë shkak nuk pranohet.
Në rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, gjyqtari, brenda një afati të arsyeshëm, i paraqet me shkrim kërkesën për heqjen dorë nga çështja Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa për heqje dorë ose për përjashtimin nga gjykimi shqyrtohet menjëherë nga Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila vendos për pranimin ose jo të saj.”
Referuar këtyre dy dispozitave, kërkojmë që,

secili prej gjyqtarëve të kësaj Gjykate, të vlerësojë me shumë kujdes të gjitha shkaqet dhe rrethanat, lidhur me çështjen dhe palët në këtë gjykim sipas objektit, fillimisht për të kërkuar e më pas, për të vlerësuar dhe për t`u shprehur me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve, nëse secili prej tyre është para rasteve kur duhet të heqë dorë nga shqyrtimi i çështjes.
Në vlerësimin tonë, ekzistojnë disa shkaqe që vendosin në dyshim paanshmërinë e të gjithë kësaj trupe gjyqësore në këtë çështje dhe që ka të përfshira si palë Kuvendin dhe Presidentin e Republikës.

Në trupën gjyqësore aktuale të Gjykatës Kushtetuese, ka gjyqtarë për të cilët ekzistojnë disa shkaqe që vënë në dyshim paanshmërinë e tyre, ashtu sikundër për disa gjyqtarë të tjerë, shkakun e kemi zbuluar vetëm ditën e djeshme, pasi siguruam disa nga provat e dosjes gjyqësore që kanë të bëjmë me veprimtarinë e kësaj gjykate në trajtimin pikërisht të çështjes për të cilën është investuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Këto shkaqe, në vlerësimin tonë, janë:

Gjykata Kushtetuese bën interpretimin përfundimtar të Kushtetues dhe zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese. Kjo trupë gjyqësore është shumë mirë në dijeni të sulmeve të Kryeministrit, dhe mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë ndaj Presidentit të Republikës që prej vitit 2018 e në vijim, disa prej të cilave janë bërë pjesë edhe e debatit dhe shqyrtimit gjyqësor kushtetues, (mjafton të përmendim çështjen e Teatrit Kombëtar, konfliktit për emërimin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo dhe çështjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, apo dhe të vet emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2019).

Për dy nga këto çështje Presidenti i Republikës është “hetuar” nga Kuvendi i Shqipërisë në legjislaturën e IX-të, procese hetimore këto që përpara se të mbylleshin pa ndonjë rezultat, kanë iniciuar dhe Komisionin e Venecias, për marrjen e një Opinioni dhe duke ulur ndjeshëm reputacionin e Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë që për të tjera, mosmarrëveshja kushtetuese është bërë pjesë e shqyrtimit gjyqësor përpara jush, dhe ju jeni njohur rast pas rasti me shkakun, tipologjinë dhe mënyrën se si ka lindur, është zhvilluar konflikti/mosmarrëveshja e çështjes në fjalë dhe që është bashkëshoqëruar dhe me zhvillime politiko-shoqërore dhe sociale në vend, përgjatë këtyre viteve 2018-2022.

Gjykata Kushtetuese, përbëhet sot nga 7 anëtarë – 6 prej të cilëve janë emërtesë/zgjedhur pikërisht nga institucionet në këtë konflikt gjyqësor (Kuvend-President), ndërsa anëtari i shtatë – Kryetari, është i zgjedhur nga të dy organet President-Kuvend, që prej vitit 2008, dhe që sot është në vitin e 5-të, të ushtrimit të detyrës, përtej mandatit 9-vjeçar kushtetues, dhe në pritje të gjyqtarit zëvendësues.

Ndërkohë që 2 (dy) prej gjyqtarëve, zotit Altin Binaj dhe zotit Përparim Kalo, me vendim të Gjykatës Kushtetuese nr. 41 dhe nr.42, datë 22.12.2021, u është deklaruar përfundimi i mandatit që ata ushtrojnë dhe që u përfundon respektivisht në datat 02.05.2022 dhe 08.04.2022, ndërkohë që nga të dy organet e emërtesës (President – Kuvend), për emërimin e gjyqtarit të ri, me mandat të plotë, që do plotësojë këto vakanca që shfaqen, janë hapur thirrjet për aplikime.

Kjo Gjykatë, u bë funksionale me 7-anëtarë vetëm në fund të muajit dhjetor 2020, kur dy organet e emërtesës emëruan dhe 3 anëtarë të tjerë të kësaj trupe (dy gjyqtarë të zgjedhur nga Presidenti dhe një nga Kuvendi), edhe pse këto emërime u shoqëruan nga fenomeni i mungesës së kandidatëve, dhe kur të dy organeve të emërtesës iu është dashur të heqin dorë nga përplotësia e së drejtës kushtetuese për të zgjedhur ndërmjet tre kandidatëve, ashtu siç dikton Kushtetuta.

Nuk mund të mos përmendim faktin se Gjykata Kushtetuese sot është funksionale dhe me 6 gjyqtarë të rinj të emëruar falë angazhimit dhe vendimmarrjes së drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës. Falë angazhimit direkt të Presidentit, kjo Gjykatë sot është funksionale dhe të paktën ka arritur të mblidhet, e të funksionojë edhe pse jo me numrin e plotë të anëtarëve që ajo duhet të ketë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu