GREQI- Një baba në Selanik ka vrarë me duart e veta vajzën e tij 42-vjeçare, i cila ishte paciente me sklerozë të shumëfishtë, sepse nuk mund ta shihte më atë duke vuajtur. Më vonë ai u përpoq të vriste edhe veten.
“E vrava. Nuk duroja më ta shihja në këtë gjendje, duke vuajtur nga sëmundja e saj…”, kanë qenë fjalët e 69-vjeçarit pas vrasjes të së bijës, shkruajnë mediat e huaja.
Me të njëjtat fjalë ai rrëfeu në polici se vajza e tij, Katerina, vuante nga skleroza e shumëfishtë, ishte në gjendje të keqe dhe se e mundonte sëmundja. Viktima u gjet në vaskë nga vëllai i saj mbrëmjen e së martës.
Duke qenë se babai nuk iu përgjigj telefonatave të tij, djali shkoi në shtëpinë e tij ku e gjeti të gjakosur në dysheme me një dëmtim në bark. 69-vjeçari u transferua në Spitalin e Përgjithshëm të Selanikut, ku po trajtohet.
Viktima jetonte në Sykies, Selanik, dhe për të kujdesej babai i saj dhe një kujdestar, ndërsa nëna thuhet se kishte vdekur nga kanceri rreth 25 vjet më parë.
Miqtë dhe fqinjët e viktimës thanë për mediat se ajo vuante nga skleroza e shumëfishtë që në moshën 14-15 vjeç dhe se ishte mësuar të përballej dhe të jetonte me sëmundjen. Hetimet paraprake për tragjedinë po kryhen nga Drejtoria e Sigurimit të Selanikut.