E rëndë në Itali! Vila e ish-lojtarit të Interit vihet nën shënjestrën e grabitësve, goditet në kokë një prej rojeve të sigurisë

0

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës në Cantù, ku një bandë kriminale tentoi të grabiste vilën e ish-lojtarit të Interit, Marko Arnautovic.

Vila ndodhet në zonën rezidenciale të Via delle Ginestre dhe në momentin e sulmit, nuk kishte asnjë anëtar të familjes Arnautovic brenda.

Sipas raportimeve, një nga rojet e sigurisë u sulmua brutalisht nga grabitësit, duke u goditur me shkop në kokë. Dy roje të tjerë, arritën të bllokonin hyrjet brenda në shtëpi, duke parandaluar hyrjen e të dyshuarve.

Ndërhyrja e rojës së katërt në momentin e fundit bëri që banda të tërhiqej dhe të largohej me shpejtësi nga vendngjarja.

Menjëherë pas alarmit, në vilë mbërritën forcat e Karabinierëve të Cantù dhe një ambulancë që i dha ndihmën e parë rojës së plagosur.

Fatmirësisht, nuk ka pasur viktima dhe nuk raportohet për dëme të tjera të mëdha.

Marko Arnautovic, kontrata e të cilit me Interin skadoi në fund të këtij sezoni, nuk ndodhej në Itali në momentin e ngjarjes. Autoritetet kanë nisur hetimet për të identifikuar autorët e kësaj tentative grabitjeje.