Serie A italiane këtë sezon, gara për titull, duket një garë treshe ndërmjet Milan, Napoli e Inter, sigurisht në çdo rast nuk duhet harruar as Juventus. Java e 30-të sheh të tre ekipet e kreut të luajnë në një ditë, këtë të shtunë.
Gjithçka nis me sfidën Napoli-Udinese, për të vijuar me Inter-Fiorentina dhe për tu mbyllur në mbrëmje me Cagliari-Milan. Si është gjendja e tre ekipeve të kreut? Nëse flasim fizikisht, Napoli duket më lart, ndërsa Milan është më lart në aspektin psikologjik pas dy fitoreve radhazi, mbi të gjitha pas fitores kundër Napolit në “Maradona”.
Nga tre ekipet, Inter duket ekipi më pak në formë, jo vetëm për ecurinë negative në kampionat por edhe këtë të shtunë duhet të bëjë sërish pa De Vrij dhe mbi të gjitha pa Brozovic në mesfushë, dy elementë shumë thelbësorë për Inzaghi. Nga të tre ekipet këtë të shtunë, Inter gjithashtu ka përballë edhe ekipin më të fortë.
Për momentin, Milan qëndron në krye në kuotën e 63-të pikëve, 3 më shumë se Napoli dhe plus katër në raport me Inter.