Milani barazoi mbrëmë 0-0 me Bolognan, duke zhgënjyer totalisht fansat. Kuqezinjtë duken se këtë sezon kanë një specifikë të veçantë në Serie A. Ekipi i drejtuar nga Stefano Pioli është mjaft i fortë me ekipet e mëdha, sakaq has vështirësi me të voglat.“Djalli” ka lënë pikë me Udinese, Bologna, Sassuolo apo edhe Salernitana.
Sa i përket përballjeve me skuadrat “BIG”, Milan e ka mundur Romën si brenda ashtu edhe jashtë. Në derbin e Milanos ndaj Interit, janë marrë një fitore dhe një barazim, pra 4 pikë. Ndaj Juventusit të dy takimet kanë përfunduar në barazim. Nuk mund të lihet pa përmendur triumfi në Bergamo ndaj Atalantës dhe suksesi ndaj Lazios.
Milan tenton rikthimin te titulli kampion, pas disa vitesh mungesë. Aktualisht, ekipi kryeson kampionatin, me 67 pikë të grumbulluara, një më shumë se ndjekësit.