E trishtë, shuhet “Mjeshtri i Madh” i humorit shkodran Paulin Preka

0

Paulin Preka, “Mjeshtër i Madh” i humorit shkodran dhe aktor i mirënjohur i skenës shqiptare, ka ndërruar jetë. Mësohet se ai ka mbyllur sytë përgjithmonë, sot, në moshën 86 vjeçare, në shtetin italian.

Paulin Preka me familjen e tij prej vitesh jetonte në Itali, bashkë me bashkëshorten Kristinën dhe fëmijët, të cilët kanë krijuar familjet dhe të ardhmen e tyre, dhe si trashëgimtarë të familjes Preka bëjnë përpjekje të mbajnë gjallë atë që mund të quhet “Dosja artistike Paulin Preka”.

Kush ishte Paulin Preka

Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës.

Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë moshë, daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlersuan me çmim të parë.

Në vitin 1953, falë pasionit dhe vullnetit që e karakterizonte Paulinin, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës dhe po në atë kohë nën drejtimin e regjisorit të mirnjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore “Estradë në Penxhere” ku protagonistë ishin Tano Banushi dhe Paulin Preka, të cilët sollën një frymë të re në skenën e teatrit të humorit në qytetin e Shkodrës.

Në vitin 1954, kur sapo ishte kriju “Klubi i Punëtorëve” e ftuan të luante një rol tek drama bullgare “Traktoristët” me regjizore Violeta Sekuj. Me këtë dramë konkuroi në Takimin Zonal të Veriut ku u shpall Laurat i këtij takimi, duke u vlersuar me diplomë nderi për interpretim të lartë artistik.

Në vitin 1957 qyteti i Shkodrës ka teatrin e vet, një tempull që do të bënte histori në jetën artistike të qytetit, por edhe në rang republike e më gjërë. Ky tempull do të mblidhte në gjirin e tij djemt dhe vajzat më të talentuar shkodranë, të cilët në atë skenë, në atë sallë dhe para atij publiku artdashës do të bënin shkollën dhe akademinë e tyre. Në këto ambiente, mes gjirit të kësaj trupe u rrit profesionalisht edhe aktori i mirënjohur Paulin Preka, i cili jetën jashtë teatrit e bënte vetëm kur shkonte në shtëpi.

Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilët mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta”, përgatitur dhe vënë në skenë nga regjisori Esat Oktrova, ku Paulini u shqua në këtë shfaqje.

Ndër pjesët më brilante të repertorit 40 vjeçar të estradës interpretuar nga Paulin Preka, aktorët e mësipërm, si dhe një brezi më të ri mund të veçojmë: “Fotografi”, “Kola i dritave”, “Familja-A, familja-B”, “Tuçi e Lokja”, “Dasme e Refikut”, “Mini e Minusha”, “Ëikend 96-76” etj.

Që nga viti 1967 e deri më sot janë shkruar nga aktori dhe autori Paulin Preka me qindra skeçe, parodi, dialogje e monologje. Materialet e tia janë pëlqyer dhe janë kërkuar e luajtur nga trupat profesioniste të rretheve të ndryshme si ajo e Peshkopisë, Kukësit, Estradës së Ushtarit, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Pogradecit si dhe nga lëvizja amatore e qëndrave të punës të qytetit të Shkodrës, nga Mirdita, Lezha, Puka etj.

Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, si ajo e të shtundeve gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”,, “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobuz” etj.

Në vitin 1998-1999 një mori poezish që janë të arkivuara nga familja, të cilat u transmetuan fillimisht në Radio Klan e mandej edhe në Radio Shkodra të tilla si “Një letër mikut tim”, “Prostitutës”, “Tomasit”, “Shkodër loces”, “Zotni”, “Andërr grash”, “Pensioni” etj.

Paulin Preka i përket dy zhanreve skenike: teatrit të dramës dhe atij të humorit, rreth 9 vite në dramë dhe 37 vite në estradë, karrierë plotësisht e mjaftueshme për të krijuar personalitetin e tij.

Nëpërmjet punës së tij intensive, arriti të meritojë nga publiku duartrokitjet dhe simpatinë, ndërsa nga institucionet shtetërore vlerësime të larta. Në vitin 1974 laurohet me urdhërin “Naim Frashëri i Klasit të III”, në vitin 1980 me urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të II”, në vitin 1988 me titullin e Lartë “Artist i Merituar”.

Në vitin 1996 pak muaj përpara se të mbyllte marrëdhëniet e punës me teatrin “Migjeni”, në takimin e trupave Profesioniste në Tiranë, u vlerësua si “Aktori më i Mirë i Karrierës”, “Krenaria e qytetit” në vitin 2009 dhe “Nderi i Komunës” Bushat në vitin 2012.

Në qershor të vitit 2018 dekorhet nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu