Nga Edi Oga
Për një pjesë të qytetarëve, BB VIP është një program televiziv i cili po i kënaq ata me gjëra që as i mendonin që ekzistonin, si për shembull një djalë që është ndarë nga një vajzë pas dy vitesh bashkë, ose po ky djalë që puthet me një vajzë tjetër, shto edhe njërëz “të ditur” që u bëjnë moral atyre që puthen, e të tjera si këto.
Nga një anë, sa mirë që ia arritëm kësaj dite që të shohim në televizor gjëra që ne nuk i bëjmë fare ose i bëjmë ndryshe, nga ana tjetër, ky show mund të jetë BB show, por jo VIP, sepse BB VIP është show që po luhet në jetën reale në Partinë Demokratike.
BB VIP i vërtetë është show që ka për protagonistë Berishën dhe Bashën.
Sipas përkufizimit, persona VIP janë personat që kanë një ndikim shumë të madh në jetët tona. Më vjen keq që jam kaq i drejtpërdrejtë, dikush mund edhe të lëndohet, por Donaldi dhe Beatriçja nuk janë persona VIP, Berisha dhe Basha janë, qoftë edhe për ata që nuk i honepsin dot, madje edhe për ata që i urrejnë. Njërin, tjetërin apo të dy njëkohësisht! Berisha dhe Basha janë persona VIP sepse veprimet apo mosveprimet e tyre ndikojnë në një shkallë të ndjeshme në jetët e të gjithëve ne. Për dreq jo të gjithë arrijnë ta kuptojnë këtë, madje ka shumë nga ata që u duket më e rëndësishme për jetën e tyre ajo që po ndodh brenda shtëpisë së BB, sesa ajo që po ndodh brenda godinës së ish-SHQUP!
Ama një të drejtë e kanë!
Ata nuk kanë në të dorë të ndryshojnë asgjë. Kjo luftë është tipikisht një luftë “brenda llojit” dhe personave që nuk i përkasin Partisë Demokratike, u mbetet vetëm të bëjnë sehir, ta ndjekin ose jo siç ndjekin spektaklet me te puthura dhe me tradhëtira. Në ditët që pasojnë, priten beteja të ashpra dhe njëri nga të dy, (ideale do të ishte të dy), do të dalë përfundimisht nga “shtëpia” me emrin Parti Demokratike. Megjithatë, politika është arti i të mundurës dhe në politikë nuk mund të thuash “kurrë”. Beteja mund të përfundojë në “barazim” dhe palët të ndahen me një marrëveshje. Nuk i dihet. Të presim dhe të shohim.
Për të qenë fare i qartë mbi qëllimin e këtij shkrimi, unë besoj se njerëzit nuk mund të gjykohen për ato që ndjekin. Jetojmë në një Botë të lirë dhe gjithkush mund ta shpenzojë kohën e tij të zbavitjes në mënyrën që dëshiron. Nga ana tjetër, unë mbetem gjykues për ata që ofrojnë “kontent” me vlera të diskutueshme apo pa pikë vlere! Mendoj se në këto kohë do të ishin më me vlerë “spektakle” të tjera në televizion dhe “luftëra” të tjera në politikë!