Eksperti për shkallën e emigracionit: Shqipëria është e para në botë, faktor kryesor mbetet ekonomia

0

Karvani i emigrantëve shqiptarë nuk do të reshte me largimet masive të fillim-viteve ’90, por do të vijonte edhe në vitet që pasonin. Çdo dështim qeveritar, si ai i piramidave të 1997-ës, e premtime të thyera politikanësh, do të përktheheshin në shqiptarë që iknin, besë-thyer e pa një destinacion të sigurt. Eksperti i emigracionit Ilir Gëdeshi, njëherazi drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe Sociale, tregon për “Vetting” ecurinë e kurbës së emigracionit deri në ditët e sotme.

“Në rast se do të shikojmë kurbën e emigracionit mund të themi se emigracioni shqiptar ka qenë shumë i lartë në fillim të viteve ‘90. Më tej në mesin e viteve ’90, kur ndodhën ngjarjet me shembjen e piramidave financiare në Shqipëri. Kjo ka vazhduar deri në vitin 1999 me ngjarjet që ndodhën në Kosovë. Dhe emigrimi nga Shqipëria ka qenë intensiv , shumë i lartë. Ka qenë një emigrim kryesisht ilegal. Një emigrim i udhëhequr nga meshkujt dhe i përqendruar në dy vendet fqinje në Greqi dhe në Itali”.

Dekada e dytë dhe e tretë e emigracionit do të ishin po aq të dhimbshme për shqiptarët e njëherazi tregues të fortë të sistemeve jofunksionale.

“Në dekadën e dytë të emigracionit shqiptar mund të themi që si pasojë e legalizimeve të emigrantëve kemi bashkimin familjar dhe rrjedhimisht ky ka qenë një emigrim më i qetë që bashkoheshin me familjarët gruaja dhe fëmijët. Por, krahas kësaj sigurisht që kemi pasur edhe emigrime ilegale. Harta e emigrimit shqiptar është zgjeruar në drejtim të Europës qendrore dhe në Angli. Po kështu në SHBA dhe deri në Australi, ndërsa në dekadën e tretë ndodhin ndryshime të rëndësishme.

Këto ndryshime lidhen me intensitetin që në vite të caktuara ka qenë shumë i lartë. Lidhen së dyti me strukturën e flukseve të emigracionit shqiptar, që krahas njerëzve me arsim të mesëm ose 9-vjeçar, kemi një numër shumë të madh intelektualësh që largohen nga vendi. Kemi gjithashtu kemi ndryshimin e hartës së emigrimit shqiptar. Përpara ka qenë Greqia dhe Italia. Tani është Gjermania , Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera shumë të zhvilluara”.

Por, cilët kanë qenë faktorët kryesorë që i kanë nxitur shqiptarët drejt emigracionit?

“Nga faktorët kryesorë, vijon të mbizotërojë faktori ekonomik, që ka qenë faktori kryesor që ka shtyrë shqiptarët për të emigruar. Por kanë dalë dhe faktorë të rinj. Për shembull dekadën e kaluar faktorët lidheshin me arsimimin e fëmijëve, ose me njerëz që nuk shikojnë një perspektivë në Shqipëri dhe dëshirojnë të emigrojnë. Pra si të thuash ky emigrim shqiptar ka qenë intensiv gjatë tre dekadave dhe nga kjo pikëpamje mund të themi që Shqipëria është e para në botë përsa i përket shkallës së emigrimit”, thotë më tej Gëdeshi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu