Emisioni i gazetares Klodiana Lala zbardh raportin mjeko-ligjor .
Ishte ora 23.00 e mbrëmjes të së premtes së 15 tetorit, kur një lajm gati në terma fiction, ai i humbjes së jetës së katër shtetasve të huaj në rrethana misterioze, shokoi opinionin publik.
Por ajo çka e bëri edhe më intriguese subjektin e ngjarjes, nuk ishte vetëm numri i lartë i humbjes së jetëve, por edhe shtetësia e personazheve.
Si edhe vendi ku ata u gjetën të pajetë.
Një pishinë e hapur, në katin përdhesë të një hoteli, vetëm pak minuta pasi kishin hyrë për t’u relaksuar në brendësi të ambientit.
Shpejt u mësua se viktimat ishin katër shtetas rusë, me lidhje gjaku me njëri-tjetrin, të mbërritur me pushime në Shqipëri vetëm 5 ditë përpara se të ndodhte ngjarja.
Ata ishin; Sergey Burenkov (Sergej Burenkov) 60 vjeç, gruaja e tij Natalia 58 vjeç, vajza e tyre Ekaterina 31 vjeç dhe bashkëjetuesi i saj Nikita Belousov (Belusov), 37 vjeç.
Por ajo që tronditi edhe më shumë, ishte fakti se si ishte e mundur që këta pushues të humbnin jetën në rrethana të tilla, bashkërisht, në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë.
Por si erdhën katër pushuesit rusë në Shqipëri dhe cili ishte itinerari i fundit që ata ndoqën deri në momentin kur u gjetën të pajetë?
Si u zbuluan ata të pafrymë nga recepsionistja dhe çfarë konstatoi policia në vendngjarje?
Për të na ndihmuar se çfarë ndodhi atë mbrëmje të 15 tetorit në Hotel ‘Gloria Palace’ me vendndodhje në zonën bregdetare të Golemit në Kavajë, dhe se si u gjetën katër trupat e pushuesve, ‘Në shenjestër’ risjell nw vwmendje pjesw nga dosja hetimore, aty ku zbulohen fakte dhe detaje që na japin një panoramë më të qartë të ngjarjes.
Referuar dosjes, Sergey Burenkov (Sergej Burenkov) dhe familja e tij, kishin mbërritur me pushime në Shqipëri më datë 10 tetor 2021, në mbrëmje, përmes aeroportit të Rinasit.
Ata u pritën aty nga një shtetase ukrainase, punonjëse e agjensisë turistike, dhe u akomoduan menjëherë në hotelin, ku më pas gjetën edhe vdekjen.
Çifti Burenkov bashkë me vajzën dhe dhëndrin kishin zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre turistik.
Edhe pse kishin marrë shumë sugjerime për hotele të ndryshme nga agjencia turistike, ata kishin vendosur të qëndronin në Hotel ‘Gloria Palace’ në zonën e Qerretit në Golem.
Sipas dëshmisë së dhënë nga guida turistike, viktimat ruse ishin pjesë e një turi të gjatë që do të ndërmerrnin në Shqipëri dhe në vendet fqinje.
Tur që u ndërpre tragjikisht mbrëmjen e së premtes së 15 tetorit në SPA-në e hotelit ku kishin rezidencën e përkohshme.
Sipas policisë njoftimi për ngjarjen e rëndë të ndodhur në SPA-në e hotelit erdhi në sallën e tyre operative në orën 22.10 minuta të mbrëmjes.
Nga hetimi paraprak i vendngjarjes rezultoi se shtetasit rus: ishin gjetur të pajetë në hotel në ambientet e SPA-së në orën 22.00.
Referuar dosjes hetimore, të parët që kishin konstatuar viktimat ishin personeli i hotelit.
Ku nga kqyrja e jashtme e trupave, grupi hetimor nuk konstatoi shenja dhune.
Sipas verifikimeve të kryera nga policia, ditën e ngjarjes, më 15 tetor, në orën 10.07 të mëngjesit këta shtetas, kishin lënë Shqipërinë duke dalë nga pika kufitare e Qafë Thanës për në Maqedoninë e Veriut.
Ata kishin rihyrë në territorin shqiptar, 7 orë më pas.
Pikërisht në orën 17.07 minuta, por tashmë nga pika kufitare e Tushemishtit.
Referuar dinamikës së lëvizjeve që ata kishin kryer, turistët rusë u kthyen në hotel, rreth orës 20.00.
Para se të ngjiteshin në dhomat e tyre, ata ndaluan në recepsion aty ku pyetën nëse ishte gati pishina që kishin rezervuar një ditë më parë, më datë 14 tetor, për ta pasur gati në momentin që do të ktheheshin nga udhëtimi në Maqedoninë e Veriut.
Sipas dëshmisë së dhënë në polici, personi i fundit që komunikoi dhe i pa në jetë ishte recepsionistja e hotelit, Hane Kërçuku.
Hane Kërçuku
Me këta turistë pothuajse nuk kam patur kontakt, pasi qëndronin të distancuar.
Të enjten në mbrëmje ata kanë ardhur tek recepsioni dhe njëri nga këta fliste anglisht dhe më ka thënë se donin të përdornin ambjentet e SPA.
Unë i kam thënë se duhet të më thoni një ditë përpara dhe më thanë që të nesërmen që i binte ditë e premte ishin në një udhëtim dhe nga ora 20.00 ambjentet e SPA të ishin të përgatitura për ta.’
Më tej, duke u kthyer te mbrëmja e ngjarjes, recepsionistja solli në vëmendje të grupit hetimor, momentet e fundit të komunikimeve me turistët rusë.
Hane Kërçuku
‘Pishina është ndezur rreth orës 16.00.
Por jo, nga unë.
Unë, para orës 20.00 kam ndezur pjesën e xhakuzit ku është thjesht një buton që duhet rrotulluar.
Këta persona pasi janë kthyer nga një udhëtim pas orës 20.00 kanë kaluar në recepsion dhe më informuan se do t’i përdornin tani këto ambiente.
Në dukje më ngjanë si të lodhur, mbase nga udhëtimi që ata kanë bërë.
Shkuan lart në dhomë dhe kanë zbritur vetë. mbase pas 10 minutash.
I kam parë që po laheshin në pishinë dhe kur i pyeta nëse u nevojiteshin ndonjë gjë, ata më thanë se duan privatësi.
Rreth orës 21.45 kanë shkuar tek turistët rusë së bashku me sanitaren Sara Deliu për t’u thënë se për pak këto ambiente do të mbylleshin.
Kur kam shkuar, atje kam parë se turistët ishin të shtrirë njëri në shezlong, njëri afër shezlongut dhe dy të tjerë në dysheme afër pishinës.
Jam afruar, kam thirrur sanitaren, u kam folur anglisht, por nuk mora përgjigje.
Jam trembur dhe i them sanitares që të lajmërojë stafin.
Më pas ka ardhur ambulanca së bashku me mjekun dhe mësuam se katër turistët rusë kishin vdekur.’
Të dhënat e recepsionistes për mënyrën se si u gjetën trupat, u konfirmuan edhe nga ekspertiza e parë e ndërtuar nga grupi hetimor që shkoi në vendngjarje.
Grupi hetimor konstatoi se trupat u gjetën në katin ‘Zero’ të godinës, në pjesën veriore ku ndodhet zona e pishinës së ngrohtë dhe SPA-së.
Në një ambient me sipërfaqe 22.2 me 8.4 m, ku në qendër ndodhet pishina me përmasa 11.5 me 6.5 m me volum 60 m3 ujë.
Sipas dosjes hetimore, në këtë ambient gjendet edhe sauna që në momentin e kqyrjes rezultoi të ishte në punë.
Ku në pult lexohej shënimi elektronik 19.14 dhe temperatura 63 gradë celcius.
Ndërsa përreth perimetrit të pishinës gjendeshin të vendosura radhazi shezlongë plastikë me ngjyrë të bardhë.
Nga verifikimi i grupit hetimor, rezultoi se trupi i parë që u gjend i pajetë ishte ai i shtetasit rus, Sergei Burenkov (Sergej Burenkov).
Ai u gjend në cepin verilindor të pishinës pranë shezlongut të parë në radhë, i shtrirë në mënyrë të çrregullt.
Fare pak më tej, në anën lindore të pishinës, në mesin e gjatësisë së saj, grupi hetimor konstatoi pranë njëri-tjetrit edhe dy trupa të tjera.
Ato ishin të Natalia Burenkova dhe Nikita Belousov (Belusov).
Edhe këta, të shtrirë, në gjendje të çrregullt.
Trupi i katërt i pajetë u identifikua në anën perëndimore të pishinës, në shezlongun e mesit dhe i përkiste shtetases, Ekaterina Burenkova.
Nga kqyrja me sy të lirë policia nuk konstatoi shenja dhune apo dëmtime trupore të dukshme, te asnjëra nga viktimat.
Në cilësinë e provave materiale, grupi hetimor mori nga ky ambient edhe dy telefona celularë të viktimave si edhe veshjet e përdorura prej tyre.
Po kështu sekuestroi edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë.
Ku, nga ajo çfarë u konstatua, u pa se viktimat deri në momentin e futjes në ambjentet e SPA-së kishin qenë në gjendje të rregullt fizike.
Krahas dëshmisë së recepsionistes, grupi hetimor mori në pyetje edhe menaxheren e hotelit.
Xhuliana Pole, tha për grupin hetimor se turistët rus e kalonin më së shumti kohën jashtë hotelit, duke udhëtuar pasi kishin marrë një automjet me qira.
Xhuliana Pole
‘Unë rreth orës 16.30, të datës 15 tetor, kam qenë e shoqëruar nga përgjegjësi i sallës dhe kemi bërë një kontroll të ambjenteve të pishinës.
Ku kemi kontrolluar temperaturën e ambjentit e cila ishte 28 gradë bazuar në pajisjet treguese të kondicionerëve.
Higjenën dhe temperaturën e ujit të pishinës të cilët e kam prekur me duar dhe më është duhur mesatarisht i ngrohtë.
Dua të them se bazuar në gjërat që kontrollova në SPA çdo gjë ishte brenda normave.
Këta shtetas janë futur në ambjentet e SPA rreth orës 20.30.
Vajza e recepsionit ka shkuar për të qendruar dhe për t’u afruar ndihmë se mos u nevojitej ndonjë send.
Klientët i janë përgjigjur se janë mirë dhe nuk kanë nevojë për asgjë dhe duan të qëndrojnë në privatësinë e tyre.
Pas rreth 30 minutash vajza e recepsionit ka shkuar përsëri me sanitaren për t’i pyetur nëse u duhej ndonjë gjë, dhe në këtë moment i kanë gjetur turistët pa ndjenja në ambjentet e pishinës.’
E pyetur nga grupi hetimor se çfarë kishin konsumuar turistët rusë në datën 15 tetor, menaxherja e hotelit u shpreh se nuk ka pasur dijeni se çfarë ata kishin konsumuar në hotel përpara se të frekuentonin zonën e SPA-së.
Ajo mundi të shprehet vetëm se këta turistë kanë dalë nga ambientet e hotelit rreth orës 06.30 të mëngjesit të datës 15 tetor 2021 dhe janë kthyer aty rreth orës 20.00.
Ku edhe janë interesuar për rezervimin e ambienteve të SPA-së, nëse ishin gati sipas porosisë që kishin bërë një ditë më parë.’
Një nga dëshmitë kyçe që u mor nga grupi hetimor ishte edhe e punonjësit të mirëmbajtjes.
Personi që kishte kryer pastrimin dhe klorifikimin e pishinës vetëm pak orë para se turistët rusë të gjendeshin të pajetë në këto ambiente.
Ndriçim Halilaga
‘Në muajin maj të vitit 2021 unë kam filluar punë tek Gloria Palace në Qerret Golem Kavajë.
Aty kryej punën si punëtor mirëmbajtje tek Hoteli dhe bëj pastrimin e pishinës, poshtë tek SPA, çdo ditë në mëngjes.
‘Dua të deklaroj se me datë 15.10.2021 unë kam bërë lavazhin e filtrave të pishinës.
Gjatë kryerjes së lavazhit nuk përdoret ndonjë solucion, pasi nuk është e nevojshme.
Lavazhi bëhet vetëm për të qarkulluar uji që të pastrohen filtrat.
Dua të deklaroj se në pishinë unë hedh vetëm një gotë me klor.
Për herë të fundit unë një gotë me klor e kam hedhur ditën e hënë më datë 11.10.2021 dhe ditën e premte më datë 15.10.2021.’
Po kështu, punonjësi i mirëmbajtjes së pishinës, Ndriçim Halilaga, u pyet nga grupi hetimor nëse kishte bërë ditën e ngjarjes, dezinfektim për covid në hotel.
Dhe nëse po, kush e kishte bërë dhe me çfarë preparati ishte bërë.
Ndriçim Halilaga
‘Në lidhje me pyetjen sqaroj se unë nuk bëj dezinfektim për Covid.
Nuk di gjë nëse është bërë apo jo, unë nuk kam detyrë ta bëj këtë, kështu që nuk kam dijeni nëse është bërë apo jo dezinfektimi për Covid në Hotel.’
Por grupi hetimor nuk u ndal në punën e tij vetëm në faktorët e brendshëm që mund të kenë sjellë humbjen e jetëve të katër turistëve rusë.
Për hetuesit u rrëfye edhe guida turistike e rusëve.
Maria Buchakchyiska (Maria Buçak-çij-skaja) iu tregoi hetuesve detajet e udhëtimit të turistëve si edhe rrugëtimin e fundit që bënë në Maqedoninë e Veriut para se të gjendeshin të asfiksuar në SPA-në e hotel Gloria Palace.
Maria Buchakchyiska
‘Në orët e para të mëngjesit, data 15.10.2021, jemi nisur me mikrobuz nga Durrësi.
Kemi marrë turistë gjatë rrugës në Qerret. Konkretisht në mikrobuz kanë qenë 8 turistë rus, unë dhe shoferi i cili quhet Ilirian.
Në Qerret në orën 07:00 kanë hipur në mikrobuz 4 personat e ndjerë që shpjeguam më sipër.
Gjatë rrugës për në Maqedoninw e Veriut kemi ndaluar në një auto grill Restorant me emrin “Nogu” në zonën e Librazhdit.
Turistët kanë konsumuar ushqime që kishin me vete si dhe kanë porositur edhe ushqime të ndryshme dhe jemi larguar në drejtim të Maqedonisë sw Veriut.
Rreth orës 13:00 diçka e tillë, jemi ulur në një restorant me emrin “Tomato” në qytetin e Ohrit për të ngrënë drekë.
Unë kam qenë e ulur në tavolinë me guidën nga Maqedonia, ndërsa turistët përfshirë edhe 4 personat (viktimat) janë ulur në tavolina pranë nesh.
Ata kanë porositur 3 peskavica dhe njëri prej tyre ka porositur peshk.
Ne kemi ngrënë thuajse të njëjtat ushqime, edhe unë vetë kam ngrënë peskavica.
Për të pirë një burrë ka porositur raki dhe çifti po ashtu kanë porositur nga një gotë raki.’
E pyetur më tej nga grupi hetimor nëse gjatë kohës së qëndrimit në Maqedoninë e Veriut apo gjatë udhëtimit, katër shtetasit rusë kishin ndjerë shqetësime shëndetësore, Maria mohoi të ketë konstatuar një gjë të tillë.
Maria Buchakchyiska
‘Personat për të cilët po pyesni, deklaroj se gjatë gjithë kohës që kam qëndruar me ta, kanë qenë të kënaqur, si edhe nuk kanë pasur asnjë problem shëndetësor.
Marrëdhëniet midis tyre ishin shumë harmonike. Dukeshin shumë të lidhur me njëri-tjetrin.
Unë mësova se ato kishin lidhje familjare me njëri-tjetrin.
Ata ishin persona shumë inteligjent, shumë të rregullt, të kulturuar.
Nuk ishin persona që kishin varësi ndaj alkoolit apo lëndëve të tjera dhe për këtë jam e sigurtë për aq kohë sa qëndrova me to.’
Lidhur mbi ngjarjen, grupi hetimor mori në pyetje edhe deklarimet e katër shtetasve rusë, pjesë e guidës, përkatësisht: Olga Rybalko (Ollga Ribalko), Elena Mijhaylova (Elena Mihajllova), Iana Emelina (Jana Emelina), Aleksandër Mijhaylov (Aleksandër Mihajllov).
Të cilët, edhe këta, ashtu si guida Maria Buchakchysika (Maria Buçak-çij-skaja), dhanë të njëjtat shpjegime.
Vdekja e katër turistëve rusë në Shqipëri në një hotel, nuk mbeti as jashtë vëmendjes së mediave ndërkombëtare, të cilat i kushtuan një hapësirë të veçantë sidomos për mënyrën se si ata u gjetën të pajetë.
Ndërkohë që trupat e tyre u tërhoqën nga ambasada ruse në Shqipëri e cila paralajmëroi për një tjetër ekspertizë mjeko-ligjore për gjetjen e shkaqeve të vdekjes .
#klodianalala #shenjester #turistetrus #ekspertiza #gloriapalace