Ekspertja: Po shtohen ditët me temperatura të larta në verë, dimri më i butë, ulen reshjet

0

TIRANË- Ndryshimet klimatike po materializohen në shifra globalisht dhe kjo duket qartë në shifrat që regjistrohen për parametra të ndryshëm.

Anira Gjoni, eksperte në Institutin e Gjeoshkencave, ju referua monitorimeve të vitit 2022, ku gjatë muajve korrik dhe gusht jemi përballur me vlera të temperaturave mesatare maksimale përkatësisht: korriku +3.6℃ dhe gushti +2.6℃.

Gjithashtu është reduktuar sasia e reshjeve të borës dhe shiut, me rreth 20% nëse i referohemi mesatares vjetore.

“Ajo çfarë vihet re është se sasia e reshjeve që duhet të shpërndahej në harkun kohor të një muaji, tani na rezulton që bie në 4-5 ditë dhe ka intensitet të shtuar.

Kombinuar kjo dhe me faktorë të tjerë të gjendjes së terrenit, sjell dhe vërshimet e shpejta, përmbytjet urbane apo lumore”, – pohon znj. Gjoni.

Nga viti në vit duket sikur klima në Shqipëri nuk është më e njëjta. Për shembull, ky dimër çuditërisht është shoqëruar me temperatura të buta dhe ende nuk ka reshje bore të mëdha në zonat malore. Ky sigurisht është një perceptim që në çështje statistikash mund të mos jetë i saktë, por në këndvështrimin tuaj, çfarë po ndodh me klimën në Shqipëri vit pas viti, apo dekadë pas dekade?

Klima është pasuri kombëtare. Kjo është shprehja e cila duhet theksuar më së shumti kur përmendim pasuritë e çdo vendi. Klima është rezultantja e të gjitha situatave të motit dhe përbën gjendjen mesatare të atmosferës në një vend të caktuar.

Me fjalë të tjera klima formohet nga tërësia e fenomeneve që duken më shpesh e në mënyrë më konstante në normalen e ecurisë së stinëve.

Ndryshimet klimatike janë fenomeni, me pasojat e të cilit po përballemi çdo ditë dhe si në gjithë botën, edhe vendi ynë preket prej tyre. Tashmë është fakt që klima ka ndryshuar.

Klima e Shqipërisë, nga vrojtimet tona gjatë viteve të fundit, mund të themi se ka ndikime të klimës subtropikale, pra klimë më e ngrohtë.

Dimrat janë më të ngrohtë dhe më të shkurtër, ndërsa stina e verës është më e gjatë dhe me temperatura më të larta.

Ashtu si me shumicën e problemeve socio-ekonomike në botë, ndryshimi i klimës është një çështje që do të prekë më shumë shtresat në nevojë dhe me probleme ndaj përshtatjeve të menjëhershme. Por askush nuk është imun ndaj ndryshimeve klimatike – duke e bërë atë një problem me të vërtetë global.

Efektet e ndryshimeve klimatike nuk janë aksidente të izoluara. Kur merret parasysh problemi i ndryshimeve klimatike, bota duhet të konsiderohet si një sistem i tërë ekologjik.

Kur flasim për ndryshime klimatike janë një sërë elementesh që mbikëqyren për të dalë në përfundime të tilla si temperatura, reshjet, era, rrezatimi diellor. Çfarë konstaton IGJEO për parametrat e këtyre dukurive në vend? Si kanë ndryshuar ato dhe si parashikohen të ndryshojnë në vazhdim?

Fokusi kryesor i Institutit të Gjeoshkencave aktualisht është në paralajmërimin e hershëm.

Me anë të modeleve tona hidrologjike dhe meteorologjike, të cilat ranohen në Qendrën Kombëtare të Parashikimit dhe Monitorimit të Rreziqeve Natyrore bëjmë parashikimin dhe lajmërimin e institucioneve për rreziqet hidro dhe meteorologjike në vend.

Me anë të vrojtimeve të kryera nga Rrjetet Kombëtare Hidro dhe Meteorologjike vitin e fundit kemi regjistruar shtim të numrit të ditëve me temperatura më të larta se 40℃, dhe të numrit të netëve tropikale me temperatura më të larta se 20℃.

Gjithashtu është reduktuar sasia e reshjeve të borës dhe të shiut me rreth 20%, nëse i referohemi mesatares vjetore. Gjatë vitit 2022 jemi përballur në korrik dhe gusht me vlera të temperaturave mesatare maksimale përkatësisht: korriku +3.6℃ dhe gushti +2.6℃ (referuar të dhënave IGJEO).

Muaji korrik u karakterizua nga tre valë të të nxehtit, të cilat shkaktuan ditë të njëpasnjëshme me temperaturë të lartë dhe për pasojë thatësira. Nëse flasim për periudhën e ftohtë të vitit, dimri u shoqërua me situata përmbytjesh.

Ajo çfarë vihet re është se sasia e reshjeve që duhet të shpërndahej në harkun kohor të një muaji, tani na rezulton që bie në 4-5 ditë dhe ka intensitet të shtuar. Kombinuar kjo dhe me faktorë të tjerë të gjendjes së terrenit, sjell dhe vërshimet e shpejta, përmbytjet urbane apo lumore.

Janari 2022, si muaji i mesit të stinës së dimrit ashtu si dhe në vitet e fundit, përcolli karakteristika të një dimri më të butë, i cili siç është theksuar dhe më parë është kthyer në një stinë me “copëza” dimri.

Si në këndvështrimin e ashpërsisë dimërore ashtu dhe të treguesve të tjerë meteorologjikë, muaji janar 2022 shënoi temperatura më të larta se norma me vlerë +0.5°C dhe në përgjithësi regjistroi vlera mjaft të ulëta të reshjeve atmosferike me rreth -63.5%; ku duhet theksuar gjithashtu se munguan dukuritë ekstreme shpeshherë karakteristike për këtë periudhë, siç janë reshjet e shumta, stuhitë apo temperaturat minimale shumë të ulëta.

A ka IGJEO sot studime të mirëfillta për ndryshimet klimatike domethënë studime në proces apo të mbyllur kohëve të fundit. A ka interes nga palët e tjera për të mësuar rreth këtyre rezultateve, për të marrë më pas masa për minimizimin e ndikimeve negative?

Instituti i Gjeoshkencave bën vlerësime klimatike mujore dhe vjetore, të cilat botohen në faqen ueb me anë të Buletineve Mujore Klimatike.

A mund të kemi një përmbledhje mbi ecurinë e disa treguesve kryesorë që nxjerrin në pah ndryshimet klimatike?

Dy treguesit kryesorë, të cilët kanë pësuar ndryshime gjatë viteve të fundit, janë:

Temperatura mesatare vjetore në vitin e fundit ka shënuar rritje prej +1.8℃.

Sasia vjetore e reshjeve në formë dëbore dhe shiu, në dy dekadat e fundit, ka pësuar rënie prej rreth 20%.

Për informacione më të detajuara në lidhje me këto elemente dhe të tjerë, mund të shikoni në faqen tonë ueb IGJEO, Buletini Klimatik Mujor.

IGJEO pësoi një riorganizim pak vite më parë, duke ndryshuar edhe emërtimin që kishte më herët. Cilat janë disa nga elementet që ndryshuan brenda institutit dhe a ka mundësi financiare ky institut për të bërë kërkime, për të siguruar mjetet nevojshme për matjet që kryen, si dhe për të pasur një bazë të dhënash të plotë?

Instituti i Gjeoshkencave është një qendër kombëtare e kërkimit shkencor në Shqipëri, në fushën e gjeologjisë rajonale dhe të aplikuar, sizmologjisë, meteorologjisë, hidrologjisë, si dhe mjedisit.

Ai ka si mision të avancojë kërkimin shkencor, duke përdorur një teknologji dhe metodologji nga më modernet e kohës, në fushën e gjeoshkencave me qëllim përfitimin afatgjatë të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.

Gjithashtu, synon të kontribuojë në mësimdhënien, për një arsim të thelluar universitar të studentëve, si dhe në kualifikimin e shkencëtarëve të rinj, duke kombinuar kërkimin shkencor të avancuar dhe inovativ me përvojat arsimore në fushën e gjeoshkencës.

Deri tani, kërkimi shkencor dhe krijimi i databazave tona është bërë në bashkëpunim me partnerët e huaj, në kuadër projektesh ndërkombëtare, ose rajonale.

Në bazë të riorganizimit, kemi bërë rifreskimin e stafit me prurje të reja, por kemi ende nevojë për staf të kualifikuar, për të përmbushur të gjitha synimet dhe objektivat tona.

Instituti i Gjeoshkencave monitoron dhe vlerëson rreziqet natyrore si tërmetet, stuhitë, ortekët, përmbytjet, thatësira, zjarret, tektonikën aktive, rrëshqitjet masive të shpateve kodrinore dhe malore, erozionin e tokës etj., me qëllim uljen e rrezikut.

Prandaj, për dekadat e ardhshme, kërkimi shkencor në fushën e gjeoshkencave, do të trajtohet i lidhur drejtpërdrejt me sfidat e shoqërisë ndaj rreziqeve natyrore, ndryshimeve klimatike, burimeve natyrore, ujin dhe përdorimin e tokës, etj.

Vizioni ynë është që Instituti i Gjeoshkencave të jetë një institucion elitar i kërkimit shkencor në fushën e gjeoshkencave në vend dhe një partner i rëndësishëm ndërkombëtar, për të kontribuar dhe për t’i shërbyer zhvillimit ekonomik dhe shoqërisë në Shqipëri dhe më gjerë.

Marrë nga Monitor.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu