Pas ekzekutimit mafioz të Shkëlzen Kastratit, të tjera detaje kanë dalë në dritë. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, ngre dyshime që autorët mund të kenë qenë tre persona.
Ku dy prej tyre kanë qenë në automjetin nga ku u qëllua 42-vjeçari, ndërsa një tjetër person ka qëndruar në pritje ku ata kanë djegur makinën pas vrasjes, për t’i larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga ana tjetër, duke qenë se viktima nuk rezulton person me precedent të mëparshëm penal, hetuesit dyshojnë se kjo vrasje ka ndodhur për hakmarrje, por për llogari të të vëllait, madje disa dyshime janë që atë edhe mund ta kenë ngatërruar me vëllanë e vet. Po ashtu, nga këqyrja e bërë mbi trupin e 42- vjeçarit Shkëlzen Kastrati, janë konstatuar 10 plagë plumbash.
Ai që i shkaktoi vdekjen e menjëhershme, është plumbi që e preku në kokë, ndërsa plumbat e tjerë janë shpërndarë nëpër makinë për shkak të trysnisë që dyshohet të ketë pasur autori, por edhe se mjetet kanë qenë në ecje.
Sipas një dinamike të ndërtuar nga Policia, dyshohet se mjeti nga ku u qëllua në drejtim të Kastratit ka qenë pas viktimës, duke e ndjekur atë sapo ka dalë nga shtëpia. Vetëm në rotondon e Sheqit ku rrugët ngushtohen dhe qarkullimi rëndohet për shkak të rrethrrotullimit, autorët e kanë parë të arsyeshme të ndërhynin.
Pasi kanë qëlluar dhe janë siguruar që e kanë vrarë, ata kanë vijuar në drejtim të “Vijës së Ngjalës” për të dalë në nyjën lidhëse me autostradën. Më pas, ata kanë hyrë në zonën e “Bypass”-it dhe janë kthyer në mbikalimin e Baltëzës. Aty kanë djegur “Range Rover”-in dhe janë larguar më tej me automjet tjetër. M.R