Varfëria dhe braktisja nga të rinjtë dallohet lehtë në Bulqizë. Është një qytet i vogël mbi supet e malit të Duriçit, që poshtë gurëve fsheh një pasuri të madhe. Bëhet fjalë për minierat e kromit që prej dekadash “pompojnë” jetën në këtë qytet dhe në gjithë krahinën përreth.
Por, tranzicioni 30-vjeçar dhe keqmenaxhimi, kanë bërë që shumica dërrmuese e banorëve të Bulqizës, në vend që të gëzonin frytet e kësaj pasurie, më tepër janë të kërcënuar nga varfëria ekstreme. E pikërisht në këtë klimë, një minator ka vendosur të ndezë një fije shpresë duke guxuar të garojë si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit për t’u futur në Kuvend.
Euronews Albania udhëtoi drejt Bulqizës, për të ndjekur një ditë fushate të këtij kandidati për deputet që dallon nga gjithë të tjerët. Ai bën fushatë vetëm në gjysmën e ditës, pasi deri në orën 14:00 i duhet të punojë në minierë për t’i siguruar të ardhmen familjes së tij.
Ai punon prej 10 vitesh në minierë dhe në 3 vitet e fundit bashkë me disa kolegë të tij në minierë janë organizuar për të kërkuar kushte më të mira pune dhe mbi të gjitha, miratimin e statusit të minatorit.
Por, si lindi kjo ide e tij për të kandiduar për deputet më 25 prill?
“Unë e kam marrë këtë iniciativë, duke qenë se nga partitë jemi zhgënjyer gjithë këto vite dhe nuk kemi besim në asnjë parti, qoftë e majtë apo e djathtë. Duke parë që ato thjesht na kanë përdorur për fushatë, që nga statusi i minatorit e deri tek problemet e qytetit na kanë çuar në pikën që sot Bulqiza po vdes dhe askush nuk po e ngre zërin për të”, thotë Elton Debreshi, kandidat i pavarur për deputet.
Fushata e tij është krejt ndryshe nga ajo që po bëjnë kandidatët e tjerë për deputetë. Çdo mëngjes, në vend që të nis takimet me qytetarët për t’u kërkuar në zgjedhje, Elton Debreshi kryen ritualin e çdo minatori.
“Si minator, ngrihem në mëngjes herët, përshëndetem me familjen, sepse shumë minatorë kanë ikur dhe nuk janë kthyer më duke ndërruar jetë në galeri. Aty nuk mund ta quaj minierë, por gropë të zezë, pasi aty janë shumë prindër që kanë humbur jetën”, shton ai.
Ai pretendon se pikën e fortë e ka në faktin që jeton në qytet dhe është i barabartë, qoftë me bashkëqytetarët, por edhe me kolegët në minierë. Ai shprehet se ka ardhur koha që dibranët të ndahen një herë e mirë nga votimi me bazë bindjet partiake, pasi sipas tij të gjitha partitë për gjendjen e mjerueshme ku ka përfunduar Bulqiza.
“Nuk mund të na qajë hallet dikush që vjen nga jashtë më mirë se sa ai që është bir i këtij vendi. Nuk mund të vijë dikush nga karrigia dhe ta dijë hallin më mirë se unë që po jetoj përditë në galeri. Populli duhet t’i vërë gishtin kokës dhe nuk duhet ta hedhë votën siç e ka hedhur në këto 30 vite”, shtoi ai.
Na tregon që mbështetje ka pasur si nga banorët dhe bizneset e vogla të Bulqizës, por edhe nga emigrantët. Ndërsa, kundër në këtë nismë ka pasur pronarët e minierave të Bulqizës.
“Mbështetja më e madhe më buron të bashkëqytetarët dhe ata me të cilët unë punoj çdo ditë. Ata ma kanë dhënë mbështetjen më të madhe për kandidaturën time dhe që më kanë shtyrë. Edhe bizneset e vogla këtu në Bulqizë janë treguar të gatshëm që të na mbështesin, ndërsa pronarët e minierave të kromit janë kundër nesh”, shprehet z. Debreshi.
Edhe pse e ka plotësuar të gjitha dokumentacionin e nevojshëm për të kandiduar në KQZ, Elton Debreshi thotë së nëse plotësohet statusi i minatorit, ai do të hiqte dorë nga kjo garë dhe do të vazhdonte punën si minator.
“Statusi i minatorit është pika kyçe. Këtu po vdesin njerëz dhe nuk po flet askush. Sa i përket peshës së deputetit, nëse dikush zotohet se do të miratojë statusin e minatorit dhe të kthej vëmendjen nga problematikat e familjeve të minatorëve që kanë humbur jetën në galeri, unë jap dorëheqjen direkt”, shton ai.
Elton Debreshi pritet të ketë emrin e tij si kandidat i pavarur për deputet në listën e Dibrës, pasi ka depozituar në KQZ firmat mbështetëse të 5% të qytetarëve të këtij qarku.