Emocione, kartonë, grimtë…Elbasani triumfon mes tensionit: fitore 2-1 ndaj Bylisit

0

24 Tetor 2025 | SPORT

ELBASAN – Pas tre ndeshjeve pa fitore, Elbasani është rikthyer te triumfi, duke mposhtur me shifrat 2-1 skuadrën e Bylisit në një përballje të zjarrtë në “Elbasan Arena”. Ndeshja u karakterizua nga një luftë e fortë fizike, tension i lartë dhe dy kartonë të kuq që ndikuan në ecurinë e lojës.

Miqtë nga Ballshi mbetën me 10 lojtarë që në minutën e 25-të, pas daljes me karton të kuq të Brunos. Vetëm një minutë më pas, Ibrahim shënoi golin e parë për Elbasanin, duke i dhënë epërsi skuadrës vendase. Në minutën e 38-të, i njëjti futbollist nigerian realizoi dopietën personale dhe dyfishoi rezultatin.

Në pjesën e dytë, Bylisi reagoi me guxim dhe arriti të ngushtonte shifrat në minutën e 51-të me golin e Markut, duke rikthyer emocionet në ndeshje. Megjithatë, në minutën e 86-të, autori i dy golave, Ibrahim, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë edhe Elbasanin me 10 lojtarë në fushë.

Verdheblutë arritën të mbrojnë avantazhin deri në fund, duke siguruar një fitore të vuajtur, por shumë të vlefshme. Me këtë sukses, Elbasani ngjitet në vendin e dytë të renditjes me 14 pikë, ndërsa Bylisi mbetet në vendin e 8-të me vetëm 6 pikë.