SARANDË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Sarandës, si vijim i operacionit të nisur më 15 maj 2026.
Gjatë aksionit u ushtruan kontrolle në banesat e tre efektivëve të përfshirë në hetime. Ndaj tyre janë caktuar masat e sigurisë, “arrest në shtëpi” për Blerim Tafçiun dhe “arrest me burg” për Kristofor Shkrepën e Kastriot Sotkën.
Të tre punonjësit dyshohen se kanë konsumuar në mënyrë të përsëritur veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Njoftimi:
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ekzekuton vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, në kuadër të hetimeve që lidhen me operacionin e zhvilluar më 15 maj 2026 në qytetin e Sarandës. Në zbatim të vendimit gjyqësor, u ushtruan kontrolle në banesat e tre punonjësve të policisë, të cilët janë zyrtarisht nën hetim për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal janë ekzekutuar këto masa sigurimi:
“Arrest në shtëpi” për personin nën hetim Blerim Tafçiu, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë.
“Arrest me burg” për personin nën hetim Kristofor Shkrepa, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë.
“Arrest me burg” për personin nën hetim Kastriot Sotka, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë.”, shkruhet në njoftim./





