EMRI/ 4 banesa e sipërfaqe të tëra trualli, sekuestrohet pasuria e të kërkuarit ndërkombëtar për vrasje

0

Policia e Shtetit ka konfiskuar pasuritë e të kërkuarit ndërkombëtar për vrasje të dyfishtë, Florenc Çapajt.

Mësohet se uniformat blu kanë sekuestruar 5 ambiente (4 banesa dhe 1 aktivitet tregtar) dhe 4710 m2 sipërfaqe toke, të ndodhura në Elbasan dhe në Pogradec.

Ende nuk dihet nëse pasuritë ishin regjistruar në emër të tij apo familjarëve.

Kujtojmë se Çapja akuzohet si porositës për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri.

Njoftimi i policisë:

Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të hetimeve të thelluara në kuadër të operacionit policor të koduar “Golden Bullet”, ka referuar materialet në Prokurori për iniciimin e një procedimi pasuror dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në zbatim të vendimit të datës 09.12.2022, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kanë konfiskuar pasuri të paluajtshme, në pronësi të shtetasit F. Ç., 42 vjeç (në kërkim ndërkombëtar për vrasje të dyfishtë) dhe të familjarëve të tij, konkretisht:

-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe 500 m2, në Udënisht, Pogradec;

-Pasuri e llojit truall me sipërfaqe 36.2 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 25.73 m2, në lagen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Pasuri e llojit arë+truall+ndërtesë, me sipërfaqe totale 1756 m2, truall me sipërfaqe 450 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 214 m2;

-Pasuri e llojit godinë banimi, me sipërfaqe trualli 498.8 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 293.8 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Pasuri e llojit truall+ndërtesë, me sipërfaqe totale 360 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 120 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 720 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 764 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 1380 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Subjekt me aktivitet lavazh dhe bar-kafe, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan.

Vijon puna për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera me burime kriminale, të cilat ky shtetas mund t’i ketë regjistruar në emër të tij apo të familjarëve të tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu