Makina e ndalur në mes të rrugës, me xhama të thyer, teksa shenjat e përleshjes janë të qarta. Mario Mejdi është avokati i cili mbeti i plagosur rëndë sot në Sarandë pasi persona të paidentifikuar i zunë pritë, e zbritën me forcë nga makina e tij tip “Benz” dhe e rrahën me shkop bejsbolli duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Mësohet se disa kohë më parë avokatit i kanë rrahur edhe xhaxhain, shtetasin me iniciale I.Mejdi dhe djalin e hallës A.K., në dy ngjarje të ndryshme.
Ngjarja ndodhi sot në hyrje të portit, në sy të pushuesve dhe banorëve të zonës. Tre persona ende të paidentifikuar i kanë zënë pritë një automjeti tip ‘Mercedes Benz’ dhe pasi kanë thyer xhamat kanë nxjerrë drejtuesin e mjetit duke e goditur me shkop bejsbolli.
Gjatë dëshmisë së tij para oficerëve të policisë, nga shtrati i spitalit avokati tha se shkak i sulmit është bërë një konflikt pronësie mes familjes se tij dhe disa personave të tjerë. Aktualisht policia po vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.