Hans Modrow, kryeministri i fundit i Gjermanisë Lindore komuniste ka vdekur në moshën 95-vjeçare, njofton partia e ekstremit të majtë Die Linke.
I lindur në Pomerania në Poloninë e sotme më 27 janar 1928, ai ishte kryeministër midis nëntorit 1989 – katër ditë pas rënies së Murit të Berlinit – dhe prillit 1990.Edhe pse ai kurrë nuk hoqi dorë nga ideologjia komuniste, Modrow shihej si një figurë reformuese, ashtu si Mikhail Gorbachev në Rusinë Sovjetike.
Në vitin 1990, qeveria e tij themeloi një agjenci për të ndihmuar Gjermaninë Lindore të kalojë në një ekonomi tregu. Një ligj me emrin e tij bëri të mundur që pronarët e shtëpive dhe fermave të blinin tokën në të cilën qëndronte prona e tyre, raporton BARRON’S.
Modrow ishte një anëtar i Volksturm, ose milicia civile e ngarkuar për mbrojtjen e Rajhut të Tretë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fund të luftës, ai u dërgua në ish-BRSS, ku kreu dënimin me burg deri në vitin 1949. Pas lirimit të tij, ai u kthye në Gjermaninë Lindore dhe gradualisht u ngrit në radhët e SED, komunistëve në pushtet në Gjermaninë Lindore.
Pas ribashkimit të Gjermanisë, ai u bë anëtar i Bundestagut dhe shërbeu në Parlamentin Evropian. Më vonë ai ishte kritik ndaj ribashkimit, duke thënë se ishte shumë i nxituar dhe se Gjermania Lindore kishte humbur.