Erdhën nga Britania për të parë dëmet nga përmbytjet, at e bir u mbytën në Shkodër

0

“Babai dhe i biri, dy shqiptarët që u shpërngulën në Britani disa vite më parë, humbën jetën gjatë një udhëtimi për në vendin e tyre, kur makinën e mori rrjedha e ujit në Malësi të Madhe”. Kështu e nis shkrimin Daily Mail për babë e bir që humbën jetën më 21 nëntor për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Pjetër Rushaj, 50 vjeç, dhe djali i tij Jason, me origjinë nga Shqipëria, por që jetonin në Midlands, humbën jetën pasi makina e tyre u rrëzua në një lumë të fryrë të dielën pas më shumë se 24 orësh shiu të dendur.

Vajza adoleshente e Rushaj, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, arriti t’i shpëtonte tragjedisë në Bogë të Shkodrës, në veri të Shqipërisë, pasi arriti të zbresë nga automjeti për të kërkuar ndihmë përpara se makina të fundosej në ujë.

 

Pamjet dramatike të postuara nga policia shqiptare në faqen e saj në Facebook tregojnë një ekip polumbarësh duke përdorur një sërë litarësh të mëdhenj për të tërhequr mbetjet e makinës Mercedes Benz nga lumi.

Një zëdhënës i policisë tha se Pjetri ishte përpjekur të kalonte lumin në një pjesë të rrugës që kalon ujin dhe makina kishte ngecur.

Ai i tha vajzës së tij 14-vjeçare të shkonte në fshatin më të afërt për të kërkuar ndihmë, por ndërsa ajo ishte akoma larg, një valë e madhe uji përmbyti makinën ku ndodheshin Pjetri me të birin.

Rajonet veriore të Shqipërisë janë ndër më të goditurat nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë goditur në të gjithë Ballkanin ditët e fundit.

Mijëra hektarë tokë bujqësore dhe qindra shtëpi u përmbytën ndërsa autoritetet evakuuan shumë familje mes ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Pjetri jetonte në Mbretërinë e Bashkuar dhe ishte kthyer në Shqipëri pasi kishte dëgjuar për stuhinë dhe po kontrollonte për dëmtime të mundshme në shtëpitë që ai kishte ndërtuar me paratë e fituara në Britani.

Vdekjet u njoftuan në Mbretërinë e Bashkuar nga vajza tjetër e tij, Anais Rushaj, 24 vjeçe, që jeton në Coventry.

Ajo shkroi në Facebook: Me dhimbje të thellë njoftojmë vdekjen e parakohshme të babait tonë Pjetër Gjok Rushaj dhe vëllait tonë Jason Pjetër Rushaj.

Por Pjetër dhe Jason nuk ishin viktimat e vetme të përmbytjeve, pasi lumenjtë e fryrë në Mal të Zi dhe pjesë të Serbisë morën katër jetë gjatë fundjavës.

Një grua dhe dy fëmijët e saj u mbytën në Mal të Zi kur makina e tyre u zhyt në një lumë teksa po kalonte mbi një urë, ndërsa në Serbinë jugore, një djalë dy vjeçar u mbyt pasi ra në lumë.

Autoritetet në rajonin jugor serb të Rashkës shpallën gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve të mëdha dhe ushtria u vendos në gatishmëri për të ndihmuar njerëzit me evakuimin dhe dërgimin e ujit të pijshëm dhe ushqimit në shtëpitë e tyre.

Shiu i rrëmbyeshëm deri në 400 mm që ra për 12 orë të dielën bëri që lumi Drin, më i gjati në Shqipëri, të dalë nga brigjet e tij me të paktën 10 cm, sipas autoriteteve.

Qindra trupa të ushtrisë u dërguan për të evakuuar familjet pasi më shumë se 600 shtëpi u përmbytën.

“Shkodra për momentin është e izoluar nga pjesa tjetër e vendit”, tha kryebashkiaku Bardh Spahia.

Fermerët, të cilët kanë vuajtur vazhdimisht nga përmbytjet, shprehën dëshpërim për humbjet e tyre, ku përfshihej edhe bagëtia, dhe i kërkuan qeverisë ti ndihmojë.

“Ne kemi nevojë për ndihmën e qeverisë sepse dëmet nga përmbytjet janë shumë, shumë të rënda”, tha Lina Zefi, 60 vjeç, në fshatin Kuç, më pak se 9 km nga Shkodra.

Xhamia historike e Plumbit e shekullit të 18-të në Shkodër ishte gjithashtu nën ujë të hënën pasi pësoi dëme nga përmbytjet e fundjavës.

Përmbytjet kanë prekur edhe zonat në Kosovën perëndimore, duke shkaktuar disa dëme në ndërtesa dhe mbyllje shkollash, por nuk raportohet për viktima.

Gazeta Si

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu