Erdogan e arrinë qëllimin/ Suedia: Do të distancohemi nga luftëtarët kurdë

0

Qeveria e re e Suedisë do të distancohet nga luftëtarët kurdë të Njësive për Mbrojtjen e Popullit (YPG) ndërsa kërkon të fitojë miratimin e Turqisë për t’u bashkuar me NATO-n, tha ministri i saj i jashtëm për radion suedeze.

Milicia kurde YPG në Siri dhe krahu i saj politik PYD konsiderohen nga Turqia si zgjerime të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Që nga viti 1984, PKK është përfshirë në një konflikt të armatosur me shtetin turk me synimin fillestar për arritjen e një shteti të pavarur kurd.

Turqia, SHBA dhe BE e konsiderojnë PKK-në një organizatë terroriste.

Suedia së bashku me SHBA-në dhe shumë vende të tjera të NATO-s mbështesin YPG-në në luftën e saj kundër Shtetit Islamik.

Megjithatë, Turqia është zotuar të bllokojë anëtarësimin e Suedisë në NATO, nëse ajo nuk ndalon së mbështeturi milicinë kurde.

“Ka një marrëdhënie shumë të ngushtë midis këtyre organizatave dhe PKK dhe nuk është mirë për marrëdhëniet tona me Turqinë”, i tha ministri i jashtëm Tobias Billstrom transmetuesit publik Radio Suedeze.

“Qëllimi parësor është integrimi i Suedisë në NATO”, komentoi ai.

Këto deklarata vijnë pak ditë përpara vizitës së planifikuar të kryeministrit Ulf Kristerson në Ankara me qëllimin për të bindur presidentin turk Tajip Erdogan që të lejojë Suedinë të anëtarësohet në Aleancë.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO në fillim të këtij viti në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Kërkesa e tyre është miratuar nga 28 nga 30 vendet anëtare të NATO-s. Vendet nordike shprehën këtë javë shpresën e tyre se Hungaria do të heqë kundërshtimet e saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu