ANKARA- Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka komentuar largimin e kryetares së Partisë së Mirë, Meral Aksener nga aleanca e 6 partive opozitare kundër tij.
“Shumë muaj më parë kemi thënë se çfarë do të ndodhë. Është siç thonë Persianët “ata u ulën, folën dhe u ndanë”. Ne e kishim thënë. Pikërisht kështu ndodhi,”- ka komentuar Erdogan në kamerën e një televizioni turk.
Nga ana tjetër, presidenti i Turqisë argumentoi se shqetësimi i qeverisë së tij është mbijetesa pas tërmeteve shkatërruese të muajit të kaluar.
“Ne jemi të shqetësuar për mbijetesën. Ne përjetuam një tërmet, fatkeqësinë më të madhe nga të gjitha fatkeqësitë. Ne përpiqemi të merremi me të, të heqim mbeturinat. Siç u thashë njerëzve të mi, na jepni një vit kohë”.
Kryetarja e Partisë së Mirë nuk ishte dakord me kandidaturën për presidencën e Turqisë të Kemal Kiliçdaroglu. Aksener e bëri të qartë se “aleanca e 6” partive opozitare nuk pasqyron më vullnetin kombëtar, ndaj dhe ajo thirri kryebashkiakun e Stambollit Ekrem Imamoglu dhe Ankarasë Mansour Yavas, duke u kërkuar që të kandidojnë për presidencën e vendit.