Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, gjatë konferencës në Samitin e NATO-s ka folur edhe për veriun e Kosovës, ku janë të stacionuara forca të KFOR të kryesuara nga komandant turk.
Në përgjigjen e tij për gazetarin kosovar, Urall Boshnjaku, Erdogan tha se përderisa KFOR-i turk gjendet aty, shpreson (duke përdorur shprehjen inshallah), nuk do të ketë asnjë problem.
“KFOR-i i Turqisë ndodhet në atë zonë, pse ndodhet aty? Për paqe, për qetësi dhe derisa KFOR-i turk gjendet aty, shpresoj që aty nuk mundet dhe nuk do të ketë asnjë problem”, tha Erdogan.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një deklaratë gjatë Samitit të NATO-s në Hagë tha se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shumë i rëndësishëm, për ruajtjen dhe stabilitetin rajonal.
“Ne mbetemi shumë të vëmendshëm. KFOR është i pranishëm në Kosovë, EUFOR në Bosnjë”, tha Rutte, duke shtuar se zhvilloi bisedime të gjera me udhëheqësit në të dy vendet gjatë një vizite të kohëve të fundit në rajon.
Ai gjithashtu zbuloi se një darkë pune u zhvillua në Bruksel me Presidentin e Serbisë, duke theksuar angazhimin aktiv diplomatik të NATO-s.
Rutte theksoi se, përtej deklaratave tradicionale të gjata – të cilat, sipas tij, shpesh tingëllojnë si histori “nga koha e lindjes së Jezusit deri më sot” – NATO synon të përqendrohet në veprime konkrete dhe bashkëpunim efektiv.