Erdogan paralajmëron kundër kërcënimeve ndaj statusit të xhamisë Al-Aksa

0

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se ka shprehur pikëllimin e tij lidhur me dhunën në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, gjatë një telefonate që zhvilloi të martën me homologun e tij izraelit, Isaac Herzog. Lideri turk ka paralajmëruar kundër kërcënimeve të statusit të kësaj xhamie.

Deklaratat e Erdoganit vijnë pas përleshjeve në fundjavë midis palestinezëve dhe izraelitëve në këtë vend të shenjtë. Sipas raportimeve, 170 persona janë plagosur, shumica protestues palestinezë që janë përleshur me forcat e sigurisë së Izraelit. Dhuna vjen pothuajse një vit pas tensioneve të ngjashme që nxitën një konflikt 11-ditor midis Izraelit dhe grupeve militante në Rripin e Gazës.

Al-Aksa konsiderohet vend i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë. Pas fundjavës të përshkuar me dhunë, tensionet u përshkallëzuan më tej me Izraelin që kreu sulmin e parë ajror pas disa muajs në Rripin e Gazës. Sulmi që ndodhi mëngjesin e së martës goditi zonat e banuara nga palestinezët.

Lideri turk po ashtu përsëriti thirrjet e tij që të gjithë “të bëjnë të gjitha përpjekjet” që ky vend shpirtëror dhe i shenjtë të ruhet.

Erdogan, një avokues i çështjes palestineze, në të kaluarën ka kritikuar politikat izraelite kundrejt palestinezëve. Turqia ka raporte me Hamasin, që kontrollon Gazën që prej vitit 2007.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu