Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ishte i pranishëm ditën e sotme në Has, së bashku me deputetë të tjerë të PD-së.
Në takim, Salianji u shpreh se në çdo drejtim, do gjesh një dorë të zgjatur të Edi Ramës, duke shtuar se ky i fundit e ka mbyllur sistemin, me gjithë pushtetet nën sqetull, e vetë qëndron në krye.
Salianji tha se opozita është e bashkuar dhe e vendosur, me pasion e të palëkundur. Ai shtoi se demokratët e kanë në ADN forcën për të fituar edhe atëherë kur situata duket e pashpresë.
Fjalimi i Salianjit:
Të dashur miq, motra e vëllezër, qytetarë!
Një ajër tjetër sa hyn këtu. Ka më shumë oksigjen lirie, kurajo e vendosmërie. E ndjen antikonformizmin, papajtushmërinë me të keqen, shpirtin rebel. Me këto cilësi ju ja dolet që ta ruanit si ishull këtë bashki në zgjedhjet e fundit, duke i bërë ballë metodave e mjeteve të paligjshme të rilindjes, e duke treguar se me vullnet, me trimëri, me punë, me energji, me frymë, fitohet. Një leksion i vyer që duhet ta kemi parasysh të gjithë. Shqipëria është në ditë të vështirë, teksa po hyjmë në vitin e fundit të mandatit të trete të Edi Ramës.
Ju jeni njerëz politike dhe e njihni mirë realitetin. Sidomos e keni shumë të qarte diferencën mes asaj që ju vjen në vesh nga propaganda agresive e qeverisë, si arritje e madhe, si sukses e parajsë, dhe asaj që shihni e jetoni. Ju mund të dëgjoni se Shqipëria u rrit shumë në skenën e madhe ndërkombëtare, po shihni se braktisja e qytetarëve në nevojat bazike, aty ku pensionisti, fermeri, studenti, profesionisti i ri ka nevojë të ketë në krah ndihmën që politika dhe ekzekutivi ofron, është evidente. Kemi një qeveri që i ka lënë njerëzit të mbijetojnë në fatin e tyre, pasi 24 orë është e fokusuar vetëm në projekte e plane që sa i gërvisht pak del se janë afera përfitimi.
Dhe kanë krijuar një klimë mbytëse, një ide fataliste se kështu janë punët, nuk ke çfarë i bën. Dhe më keq, s’ke ku ankohesh, s’ke ku apelon. Se në çdo drejtim, do gjesh një dorë të zgjatur të Edi Rames. Dhe kjo deri diku qëndron. Ai e ka mbyllur sistemin, me gjithë pushtetet nën sqetull, e vetë qëndron në krye.
Kishte një plan edhe më ogurzi. Por nuk i eci. Vetëm tek opozita dështoi. Bëri çdo përpjekje prej vitesh për ta bërë edhe Partinë Demokratike një nga ingranazhet e mekanizmit që ka nën kontroll. Donte ta kishte departament të establishmentit. Luftoi shumë për këtë e solli jo pak dëme. Ne shpenzuam kohë e energji në një betejë mes vedi.
Por, ja ku jemi sot. Opozita shpëtoi nga kapja, jemi të bashkuar, dhe jemi të vendosur, me pasion e të palëkundur. Unë e kam bindje se meritën e madhe në këtë arritje aspak te vogël e kanë demokratët, qëndrestarët, ata që kanë përfituar gjithnjë e më pak ose të fundit, e që kanë vuajtur më shumë. Demokratët këtu në Has e kudo në Shqipëri, u bënë guida jonë, na treguan se cila ishte rruga. Dhe nuk ishte tjetër, vetëm ajo që të linim ndasitë e të bëhemi bashkë. Nuk shpëtuam vetëm nderin tonë, por ruajtëm nga copëtimi e nga shuraja një aset të madh publik, qe është opozita.
Imagjinoni që në këtë situatë ku është vendi, të kishim një PD që kordinohej nga qeveria. Dhe ju e patë se projekti ishte, dhe ishte vënë në jetë. Ne nuk e lejuam, ju ne radhë tê parë nuk e lejuat. Por të dashur miq, ky është vetëm një hap në këtë marrëzi të madhe 11 vjeçare që luhet me vendin e të ardhmen tonë.
Nuk kemi asnjë ditë për të humbur, apo për të kakuar në eufori boshe. Koha është për të bërë tanimë hapin tjetër cilësor, më të rëndësishëm ndoshta. Të tregojmë se jemi alternativa e Shqipërisë në vitin 2025. Mes shumë sfidave që kalon vendi, të deshmojmë se jemi zgjidhja.
Mes skepticizmit dhe humbjes së besimit tek politika, të provojmë se tek ne mund të besohet. Mes korrupsionit të instaluar si normë, si kulturë qeverisëse, të manifestojmë integritet e ndershmëri. Eshtë një sprovë jo e vogël, po ne mund dhe ne duhet t’ja dalim. Me sakrificë, me vendosjen e interesit të madh para kalkulimeve tona, me përkushtim të përditshëm dhe ne kontakt të ngushtë me njerëzit.
Asgjë nuk është e pamundur. Të shkojmë me qytetarët, të kuptojmë sensin e tyre, aspiratën që kanë. Çfarë duan, çfarë ëndërrojnë, nga se druhen. Dhe të marrim vendimet që duhet e të udhëheqim me vendosmëri kur duhet. Rilindja mundet, dhe demokratët e kanë në ADN forcën për të fituar, për të triumfuar edhe atëherë kur situata duket e pashpresë.
Bashkë dhe me qytetarët!