Trajneri i Sllovenisë Matjazh Kek ka deklaruar për Kombëtaren Shqipëtare se ,” Ndonëse është në grupin më të vështirë të mundshëm në Kampionatin Europian të futbollit, Shqipëria nuk duhet të nënçmohet”.
Trajneri slloven në intervistën e fundit për mediat kroate, ku Kroacia bën pjesën në të njëjtin grup me kuqezinjtë, Italinë dhe Spanjën, është pyetur edhe për shortin e Europianit. Trajneri Kek ka folur me respekt për Kombëtaren shqiptare, edhe pse konsiderohet si jo favorite në Grupin B të “Euro 2024”.
“Nëse duhet të brengoset dikush, atëherë është dikush tjetër, jo Kroacia, që është e dyta dhe e treta në botë, finaliste e Ligës së Kombeve. Qartë se nuk është grupi më i lehtë për Kroacinë. Luani ndaj Spanjës e Italisë dhe kjo është motivuese për lojtarët. Por një gjë dua ta theksojë posaçërisht, Shqipëria nuk bën të nënçmohet. Shqipëria në grupin e saj ishte e para. Shqiptarët janë jashtëzakonisht të papërshtatshëm”, ka thënë Matjazh Kek për “net.hr”.
Në një intervistë tjetër, përzgjedhësi slloven kishte theksuar se Kroacia do ta ketë më vështirë ndaj Shqipërisë se ndaj Spanjës e Italisë. Italia është kampione në fuqi e Evropës.
“Derisa Kroacia kishte rezultate të shkëlqyera, italianët nuk ishin në dy Botërorë rresht. Sigurisht që Kroacia më lehtë do të futet në luftë me Italinë se me ndonjë ekip që nuk vlerësohet aq lartë, por që është e rrezikshme. Jam i bindur që kroatët më vështirë do ta kenë me Shqipërinë, që e ka fituar grupin, se ndaj Spanjës apo Italisë”, ka thënë Kek për “index.hr”.
Shqipëria luan më 15 qershor ndaj Italisë. Më 19 qershor takohet me Kroacinë, ndërsa më 24 qershor me Spanjën.
Ndërkohë Sllovenia është në Grupin C së bashku me Danimarkën, Serbinë dhe Anglinë. Matjazh Kek e udhëheq Slloveninë prej vitit 2018.